“Topi i Artë një farsë”, Matthaus kundër “pleshtit”: Haaland e meritonte ta fitonte

“Pleshti” Lionel Messi vazhdoi të shkruante historinë, mbrëmjen e së hënës që sapo lamë pas, teksa arriti të fitonte për të 8 herë në karrierën e tij, trofeun e “Topit të Artë”, duke e çuar në 3 diferencën me ndjekësin më të afër, Cristiano Ronaldo, i cili e ka fituar 5 herë këtë trofe.

Mirëpo, pavarësisht se arriti të triumfonte garën “ e ethshme” me “vikingun”, Erling Haaland, sërish të shumtë ishin ata që nuk ishin aspak dakort me këtë “triumf” e një ndër ta ishte dhe “fantazisti” gjerman i mesfushës, Lotthar Matthaus, i cili u shpreh se trofeu i fituar nga “pleshti”, nuk ishte aspak i merituar.

“Për gjithë vitin Haaland ka bërë më mirë se Messi. Trofeu nuk është i merituar. Ky është demonstrimi se Botërori vlen më shumë se gjithcka. Sipas meje askush nuk ka bërë më mirë se Haaland, ai ka qenë më i miri në 12 muajt e fundit. Fitoi tituj të rëndësishëm me City-n me rekord golash. Votimi është një farse, edhe pse unë gjithmonë kam qenë tifoz i Messi-t”,- u shpreh “legjenda” gjermane.