Shqipëria vazhdon me formën e lartë, fiton pastër edhe në miqësoren ndaj Bullgarisë

Kombëtarja e Shqipërisë ka vazhduar me rezultate pozitive, pasi sonte triumfoi edhe në miqësoren ndaj Bullgarisë.

Madje, “Kuqezinjtë” nuk pranuan gol as sonte duke vazhduar kështu serinë e ndeshjeve pa pranuar gol në shtëpi, përfshirë edhe ndeshjet e ciklit kualifikues për “Euro 2024”.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” përfundoi me rezultatin 2:0.

Të përzgjedhurit e Sylvinhos shënuan nga një gol në secilën pjesë. Vlen të theksohet se kjo ishte ndeshja e parë e karakterit miqësor nën urdhrat e trajnerit brazilian.
Kombëtarja shqiptare hyri në pushimin mes pjesëve me epërsi minimale, falë golit të Qazim Laçit (41’), i cili shënoi nga afërsia.

Fitorja u vulos në pjesën e dytë, me Ernest Muçin (81’) që shënoi gol të bukur nga distanca.

Shqipëria do të rikthehet në aksion muajin e ardhshëm, kur pritet edhe të vulosë kualifikimin për në Kampionatin Evropian, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Shqipëria më 17 nëntor do të luajë në udhëtim ndaj Moldavisë, kurse pas tre ditësh do të presë Ishujt Faroe.