Shqipëria e mahnitshme, barazohet rekordi i fitoreve në shtëpi

“Air Albania” është kthyer në një “kështjellë” të vërtetë për Kombëtaren e Shqipërisë. Skuadra kuqezi prej 1 viti nuk njeh humbje në Tiranë, teksa ka arritur që të marrë 5 fitore në po kaq ndeshje, duke barazuar dhe rekordin e fitoreve radhazi në shtëpi.

Shqipëria e mbylli me fitore vitin 2022 duke mundur 2-0 Armeninë në miqësoren e luajtur në nëntor, ndërkohë që më pas nën drejtimine Sylvinhos ekipi ka mundur 2-0 Moldavinë, me të njëjtin rezulat Poloninë, 3-0 Çekinë në kualifikueset e Europianit dhe së fundmi edhe Bullgarinë në miqësoren e zhvilluar të martën.

E veçanta është se në të gjitha këto ndeshje, porta ka qëndruar e paprekur, teksa ka shënuar në anën tjetër 11 gola në këto 5 ndeshje.

Një ecuri të tillë, Shqipria e ka realizuar vetëm në periudhën 2003-2004. Kuqezinjtë asokohe fituan 3-1 ndaj Gjeorgjisë në kualifikuese, triumfuan 2-0 ndaj Estonisë dhe më pas 2-1 ndaj Suedisë e me të njëjtin rezulat edhe ndaj Islandës në tre miqësore, për të mbyllur serinë e pesë fitoreve radhazi në shtëpi me suksesin historik 2-1 ndaj Greqisë në “Qemal Stafa”.
Ky rekord mund të thyhet në 20 nëntor në “Air Albania”, nëse ndaj Ishujve Faroe Shqipëria do të regjistrojë suksesin e radhës. Skuadra kuqezi nuk mundet në 6 ndeshje radhazi, teksa në muajin e ardhshëm po ashtu synon që të arrijë dhe rekordin e viteve 2009-2010, kur Shqipëria arriti që të regjistrojë një seri prej 8 ndeshjesh radhazi pa humbje brenda dhe jashtë fushë.

Nëntori do të jetë jo vetëm muaji ku të gjithë presim zyrtarizimin e pjesëmarrjes në Euro 2024, por dhe muaji ku mund të arrihen disa rekorde të veçanta.