Salah bën thirrje për mbështetje për banorët e Gazës

“U bëj thirrje të gjithë liderëve botërorë që të bashkohen për të parandaluar vrasjen e mëtejshme të shpirtrave të pafajshëm. Njerëzimi duhet të fitojë”, tha futbollisti Mohamed Salah
Doğa Kırmızıoğlu |
19.10.2023 – Përdıtësım : 19.10.2023

Ankara
Futbollisti i kombëtares së Egjiptit dhe skuadrës angleze të Liverpoolit, Mohamed Salah bëri thirrje për mbështetje për banorët e Gazës, transmeton Anadolu.

Ai shpërndau një video në llogaritë e tij në rrjetet sociale, duke thënë se nuk është e lehtë të flasësh në kohë si këto.

“Gjithë ky brutalitet dhe dhunë që të thyen zemrën. Është shumë keq të dëshmosh tensionet e javës së fundit. Të gjitha jetët janë të shenjta dhe duhet të mbrohen. Kjo duhet të ndalet. Familjet janë të ndara nga njëra-tjetra. Duhet të lejohet të vijë ndihma humanitare në Gaza. Njerëzit atje janë në gjendje shumë të keqe”, tha Salah.

Duke iu drejtuar liderëve botërorë, futbollisti 31-vjeçar tha: “Skenat në spital ishin shumë të frikshme. Populli i Gazës ka nevojë për ujë, ushqim dhe mbështetje mjekësore. Unë u bëj thirrje të gjithë liderëve botërorë të bashkohen për të parandaluar vrasjet e mëtejshme të njerëzve të pafajshëm. Njerëzimi duhet të fitojë”.

Drejtori ekzekutiv i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, e cila merret me ndihmën për Rripin e Gazës, Rami al-Nazar tha më herët se Salah kishte ndihmuar palestinezët.

“Mohamed Salah dhuroi fonde për popullin palestinez”, tha Nazar, duke shtuar se kjo nuk ishte diçka e pazakontë për Salah dhe se nuk ishte hera e parë që ai e kishte bërë këtë brenda apo jashtë Egjiptit.