Real Madridi me vetëm një qendërmbrojtës, Ancelotti tregon se kush mund të luajë nesër përkrah Rudigerit

Real Madridi do të përballet me Osasunan të shtunën dhe nëse regjistron fitore do të hyjë në pushimin ndërkombëtar si lider në La Liga.

Megjithatë, fitorja nuk vlerësohet të jetë lehtë e arritshme duke marrë parasysh mungesat te “Los Blancos”, sidomos në fazën e mbrojtjes.

Eder Militao është jashtë fushës për një kohë të gjatë për shkak të lëndimit, Nacho Fernandez është i suspenduar për tri ndeshje, ndërsa David Alaba mori pjesë në stërvitje të kufizuar, por nuk do të jetë i gatshëm për nesër.

Kësisoj, Ancelotti ka vetëm një qendërmbrojtës natyral të gatshëm, Antonio Rudigerin.
Trajneri tha se Ferland Mendy dhe Aurelien Tchouameni janë opsionet për të luajtur përkrah Rudigerit në qendër.

“Alaba nuk ndihet 100% dhe nuk do të luajë. Opsionet që kemi janë Mendy, Tchouameni… Ju do ta dini nesër, unë e di sot. Mendoj se mund të përshtatemi, do të përshtatemi mirë. Si gjithmonë, mbrojtja është detyrë për të gjithë ekipin dhe nuk do të varet nga individët”, tha ai.

“Shqetësimi për ndeshjen nuk është ky, është një tjetër, që ne luajmë kundër një kundërshtari shumë të mirë, i cili është shumë mirë i organizuar”, deklaroi Ancelotti.