Merxhan Jakupi
Një ndër konfliktet dhe luftërat më të gjata të të gjitha epokave historike, mbetet lufta mes palestinezëve dhe hebraikëve. Më se 75 vjet, konflikti dhe lufta mes këtyre dy popujve që kanë të njëjtën etnogjenezë, akoma është duke vazhduar. Sipas historianit, Samuell Hutington, konflikti mes dy popujve palestinezë dhe çifutë, është një përplasje qytetërimesh mes Lindjes islame dhe qytetërimit të krishterë.
Historiani hebre, Yoval Noah Harari, në një intervistë, thekson se moszgjidhja e konfliktit izraelit-palestinez, si pasojë ka sulmet e fundit terroriste nga organizata terroriste e HAMASIT. Harari vazhdon me narrativen se në konfliktin e pazgjedhur mes dy popujve, palestinezëve dhe çifutëve, këta të fundit që jetojnë gjithandej nëpër botë, janë të traumatizuar, të frikësuar, ndërsa në shtetin e tyre, në Izrael, janë në gjendje lufte dhe çdo herë janë duke jetuar në frikë nga alarmet e sirenave, për t’u strehuar nëpër bunkerë dhe podrume të posaçme, që mos t’i godasë ndonjë raketë e HAMASIT.
Konflikti dhe lufta mes këtyre dy popujve, te shqiptarët ka shkaktuar mospajtim herë për njërën palë e herë për tjetrën, si dhe zemërim ndaj vrasjeve e masakrave ndaj civilëve, në mesin e tyre edhe të fëmijëve të pafajshëm, sikundër ishte këtyre ditëve me sulmet e forcave ushtarake izraelite në Gaza, me vrasje dhe vuajtje të palestinezëve, që shkaktojnë emocione dhembshurie.
SHQIPTARËT NDAJNË DHIMBJEN ME POPUJT E SHTYPUR
Shqiptarët dhe boshnjakët shumica i takojnë fesë islame, por këta popuj ndryshe nga popujt e Lindjes islame, i takojnë qytetërimit, matricës evropiane dhe mbeten në anën aleatëve të tyre perëndimorë.
Në një takim rasti, në pishinë, me një palestinez, që ishte nga gjenerata e tretë, më rrëfeu se kishte lindur në llogore. Ky djalë palestinez ishte një militant i politizuar, i polarizuar, me indinjatë më tha se “nënat tona palestineze lindin për çdo vit nga një fëmijë. Janë shndërruar në një fabrikë që prodhon fëmijë, të cilët sapo rriten i bashkëngjiten forcave të HAMAS-it”.
I riu palestinez vazhdonte të rrëfente me shumë eufori dhe emocione. Unë i ndërhyra se HAMAS është një organizatë radikale dhe terroriste. Ai më shikoi me një sarkazëm, duke më thënë se shumica mendojnë si ju, por nuk është me rëndësi se si do t’i quani dhe etiketoni palestinezët – terroristë, ekstremistë, kriminelë. Për popullin tonë këta ashtu të quajtur terroristë janë hero, idhull dhe trima.
Ky militant palestinez, më tha se kishte takuar shumë shqiptarë myslimanë, por shumica kanë qenë pro-amerikanë. Unë ua ktheva përgjigjen se ne shqiptarët jemi shumica me fe islame, por jemi popull evropian dhe i takojmë qytetërimit evropian. Megjithatë, ne shqiptarët myslimanë kemi përafërsisht një histori të njëjtë. Armiku ynë donte të na fshijë nga faqja e dheut, të na shfarosë, por falë SHBA-së, shteteve demokratike evropiane dhe NATO-s, bombarduan armikun dhe detyruan të kapitullojë.
PËR POPUJT E LINDJES I PADËSHIRUAR QYTETËRIMI PERENDIMOR
Në një podium debatues, me ekspertë, analistë dhe politologë, ku shtrohej tema mbi luftën e fundit mes HAMASIT dhe IZRAELIT, moderatori e pyeti njërin prej analistëve, ish-diplomatin libanez nëse organizata çlirimtare palestineze, në fazën e hershme, me Jaser Arafatin, ishte organizatë terroriste. Kjo organizatë ndryshoi doktrinën, ndërsa lideri i saj karizmatik, Jaser Arafat, u shndërrua në një lider modernist dhe pacifist. Mos vallë dhe HAMAS, në të ardhmen do të reformohet dhe do të heq dorë nga ekstremizmi dhe terrorizmi. Diplomati libanez i tha moderatorit se sikur të ishte lider e palestinezëve edhe NËNË TEREZA, Benjamin Natanjahu, por edhe gjithë liderët e politikanët e tjerë çifutë, nuk do të lejonin që populli palestinez të formojë shtetin e tyre sovran, që deri tash e kanë njohur mbi 130 shtete.
Të besosh se shkaku i mosnjohjes së shtetit palestinez është mungesa e lidershipit palestinez, është sikur të besosh se në vjeshtë mund të çelin lule. Diplomati libanez tha se çështja palestineze dhe ngërçi do të zgjidhet me fillimin e rendit të ri botëror, ku SHBA dhe perëndimi s’do të jenë në rolin e policisë botërore.
Në të ardhmen, timonin e superfuqisë do ta marrin vendet e Lindjes, në radhë të parë Kina dhe India. Qytetërimet e para kanë lindur në Lindje dhe, në fund, në Lindje do të mbetet. Për ne, popujt lindorë, qytetërimi perëndimor është helm i helmit.
Në atë panel dhe debat, një analist tha se lufta mes Risisë dhe Ukrainës është luftë rajonale, ku në të ardhmen do të zgjidhet konflikti, kurse lufta mes Izraelit dhe Palestinës është konflikt dhe luftë globale. Nëse forcat ushtarake të Izraelit do të fillojnë të sulmojnë Gazën me trupa tokësorë, mund të vijë deri në përshkallëzim të skajshëm. As një shtet arab ose islam nuk do të hyjë në luftë. Nëse Natanjahu fillon të pushtojë GAZËN, duke vrarë e masakruar njerëz, fëmijë të pafajshëm, këto skena makabre do të bëjnë që dy miliardë myslimanë në botë do të jenë shumë të irrituar ndaj SHBA-së dhe shteteve perëndimore evropiane.