Gjuajtja me shishe do ta ulë në bankën e të akuzuarit zëvendëskryeministrin.
Por hiç më lehtë se Besnik Bislimi nuk do të shpëtojë as deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili u përfshi në sulmin masiv të 13 korrikut në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ndaj këtyre dyve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti të hënën aktakuzë për veprën penale “Sulm” sikur edhe Bekim Haxhiu e Hajdar Beqa nga partia opozitare.
Por hetimet gjetën se këta dy bënë edhe tjera vepra atë ditë. Haxhiu për grushtin ndaj ministrit të Financave rëndohet edhe për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.
E kolegu i tij Beqa, që gjatë përleshjes ia mori syzet Hekuran Muratit do mbahet përgjegjës për “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Ky i fundit tha për Klan Kosova se lajmin për aktakuzën e mori nga mediet, dhe pret t`i shoh krejt provat për këtë.
Aktakuza sipas tij duhej të kishte për akterët qeveritarë që ky thotë se atë ditë vepruan me koordinim. Ai mohoi fajin që i rëndohet duke u arsyetuar se deshi t`i ndalë përleshjet.
Pavarësisht deklaratave, Beqa tha se do t`i përgjigjet drejtësisë në çdo kohe e do pranojë vendimet e saj.