Në komisionin për Onkologjinë sot dëshmuan Hasani dhe Rendevski

Në seancën e dytë të Komisionit Hetimor për skandalin në Klinikën e Onkologjisë, ka dëshmuar ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani. Ai tha se si zëvendësministër ka qenë ndër të rrallët të cilët nuk kanë pasur asnjë autorizim të shkruar ose të thënë nga ministri i asaj kohe i Shëndetësisë dhe se komunikimi i tij me ministrin nuk ka qenë i vazhdueshëm.

“Unë ndoshta jam ndër zëvendësministrat e rrallë, më mirë i thënë i vetmi i cili nuk kam pasur autorizim të shkruar, por ndoshta edhe të thënë nga ministri i asaj kohe i shëndetësisë. Mundësitë e veprimit tim si zëvendësministër në atë kohë nuk kanë qenë të limituara, por kanë qenë të pamundura. Për këtë çështje, por edhe për probleme tjera madhore nuk më ka informuar në ato takimet e pakta të cilat i kemi pasur, por edhe në komunikimet e pakta.”, – theksoi ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani.

Dëshmi të tij ka dhënë edhe ish-zëvendësministri i fundit i Shëndetësisë, Vlladimir Rendevski, i cili ka ushtruar detyrën nga muaji shkurt i vitit 2022 deri në shkurt të vitit 2023. Ai ka pohuar se përgjegjësi duhet të ketë, por edhe mënyra e ndarjes së kësaj terapie të shtrenjtë duhet të rregullohet. Ai u shpreh se nuk ka pasur njohuri për aferën në Onkologji.

“Duhet të ketë përgjegjësi, nëse ka punë të jashtëligjshme. Terapia biologjike realisht është shumë e shtrenjtë dhe duhet të ketë kritere të qarta se ndaj cilëve pacientë duhet të ushtrohet kjo terapi biologjike. Për mua nuk mundemi që për secilin pacient, i cili është në stadiumin më të avancuar të ketë terapi biologjike, ndërsa në shëndetësi kemi mungesa shumë të mëdha të çështjeve tjera esenciale. Për dallim prej Ilir Hasanit, unë me ministrin e asaj kohe, dr.Bekim Sali, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm dhe korrekt, por nuk kemi pasur asaj kohe informacione për aferën në Onkologji.”, – deklaroi ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Vlladimir Rendevski.

Rashella Mizrahi në cilësinë e kryetarit të Komisionit ka dërguar kritika dhe ankesa deri tek roli i ministrit të Shëndetësisë, i cili në bazë të Ligjit për qeverisje dhe organeve tjera ekzekutive, por edhe Ligjit për sigurim shëndetësor tregojnë se ministri i Shëndetësisë është i obliguar të dijë për gjithçka që po ndodhë në sistemin shëndetësor në vend, qoftë nga ekipi i tij, qoftë nga ai vet, me çka sipas saj, ministri do t’i shfrytëzonte mekanizmat kontrollues.