Gazetari Mentor Nazarko ka thënë që Serbia është e investuar që të nxisë kritikë dhe urrejtje në opinionin publik kosovar ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe Shqipërisë.
“Nuk ka asnjë dyshim. Kush e ka këtë dyshim ose është miop, ose i lexon situatat ashtu siç do të donte t’i lexonte Serbia, në mënyrë të vetvetishme. Kam përshtypjen se në gjithë këtë animositet që është krijuar rreth deklaratave publike të Ramës- madje e kam bindje thuajse kategorike edhe për shkak të profesionit tim si gazetar- që Serbia është investuar të hedhë helm nëpërmjet rrjeteve sociale që ta nxisë kësisoj kriticizmin, ndjenjën e urrejtjes posaçërisht në opinionin publik kosovar ndaj kryeministrit të Shqipërisë dhe Shqipërisë në përgjithësi”, ka thënë Nazarko në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Po jua jap një shembull. Një foto që qarkullonte para disa orësh -një skrinshot i gjoja një faqe të Shkodrës ku dikush nga familja Jashari e konsideronte Ramën, e shante si ‘tradhtar’ e të tjera ishte fillimi i ortekut ku disa figura të shquara të opinionit publik kosovar ripostonin dhe komentonin një fake news të tillë. Kjo pastaj stimulonte urrejtjen nëpërmjet ushtrisë së trollsave, që vepron pranë rrjeteve sociale mu me këtë mision: nxitja e urrejtjes ndaj kryeministrit Shqipërisë dhe ndaj Shqipërisë në përgjithësi”.
“A është interes i Serbisë që sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë të jenë problematike? Unë besoj që po! Dhe kështu që gjendemi në situatë të ngjashme ndaj më bëni pyetje të ngjashme: ndërkohë situata e vështirë e kërkon që Shqipëria me Kosovën të jenë bashkë”.
Përndryshe Nazarko tha se “Shqipëria e ndihmon në disa mënyra Kosovën duke numëruar mes tyre praninë e saj përmes KFOR-it dhe kontributin diplomatik në vendet ku Kosova nuk ka qasje, e ndihmon kulturalisht, dhe bashkëpunon sipas kuadrit të marrëveshjeve të firmosura. Mund ta ndihmonte më shumë sigurisht”.