Australia po dërgon një “kontingjent të rëndësishëm” trupash dhe dy avionësh në Lindjen e Mesme në mes të luftës së vazhdueshme izraelite në Gaza, transmeton Anadolu.
Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, njoftoi se Australia po vendos personel shtesë të forcave të mbrojtjes australiane dhe dy avionë në rajonin e Lindjes së Mesme në kuadër të Operacionit “Ahu” (Operation Beech).
“Dislokimi i avionëve australianë dhe personeli mbështetës i mbrojtjes është një masë paraprake për të mbështetur të gjithë opsionet e emergjencës së qeverisë australiane për shkak të rrezikut të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë”, shkroi Marles në platformën sociale X, duke e quajtur situatën “sfiduese dhe në zhvillim të shpejtë”.
Dy avionët dhe trupat do t’i bashkohen avionëve të Australisë të vendosur në Lindjen e Mesme. Shefi i mbrojtjes australiane nuk zbuloi se ku do të vendoset kontingjenti në rajon.
Australia ka shprehur mbështetjen e saj për Izraelin, duke shkaktuar reagime në vend, ku janë zhvilluar edhe protesta masive kundër luftës së Tel Avivit në Gaza.
Ministrja australiane e Punëve të Jashtme, Penny Wong, tha se Australia do të sigurojë 15 milionë dollarë shtesë në ndihmë humanitare për civilët e prekur nga konflikti në Gaza, Bregu Perëndimor dhe në të gjithë rajonin.
Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumë-anshëm, që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pamëshirshëm të objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.
Mbi 8.400 njerëz janë vrarë në konfliktin e vazhdueshëm, përfshirë të paktën 7.028 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.
2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë transportuar vetëm një pjesë të asaj që nevojitet