Me përvojë të pakët në politikë, Ekuadori zgjedh një 35-vjeçar për president

Kandidati i qendrës së djathtë Daniel Noboa, do të jetë presidenti i ekuadorit.

Afro 10 milionë persona morën pjesë në zgjedhje, ku 35 vjeçari siguroi 52.3% të votave ndërsa rivalja e tij kryesore Luisa González, mori 47.7%.

Gjatë fjalimit të fitores, Noboa tregoi se qëllimi i tij është “të kthejë paqen në vend, t’i japë sërish arsimim të rinjve, të jetë në gjendje të sigurojë punësim për shumë njerëz që e kërkojnë atë”.

Për këtë qëllim, tha ai, ai do të fillojë menjëherë të punojë për të rindërtuar një vend që është goditur rëndë nga dhuna, korrupsioni dhe urrejtja”.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se 35 vjecari është trashëgimtar i një pasurie të ndërtuar mbi tregtinë e bananeve ndërsa përvoja e tij në politikë është e pakët.

Mandati i presidentit të ardhshëm të Ekuadorit do të zgjasë deri në maj tw vitit 2025, koha e mbetur nga mandati i presidentit aktual, Guillermo Lasso.

Procesi u karakterizua nga siguria e rreptë, dhjetëra mijëra oficerë policie dhe personel ushtrie ishin vendosur në qendrat e votimit, pasi fushata që e parapriu ishte e ashpër dhe e përgjakur.

Disa ditë para zgjedhjeve të raundit të parë më 20 gusht, Kandidati Fernando Villavicencio u vra në mes të turmës, në përfundim të një mitingu.

Ngjarja e rëndë ishte pasqyrim i sigurisë së dobët dhe rritjes së kriminalitetit në vend teksa Nën qeverisjen e Lasso-s, vdekjet e dhunshme u rritën, duke arritur kulmin në vitin 2022.

Rritja e dhunësnë Ekuador lidhet me trafikun e kokainës së prodhuar në Kolumbinë dhe Perunë fqinje. Kartelet meksikane, kolumbiane dhe ballkanike i kanë rrënjët në Ekuador dhe veprojnë me ndihmën e bandave kriminale lokale