Mbrojtja Civile në Gaza: Izraeli shkatërroi qindra ndërtesa në Gaza mbrëmjen e së premtes

Njësia e Mbrojtjes Civile të Gazës njoftoi se qindra ndërtesa u shkatërruan në Gaza në sulmet që Izraeli kreu mbrëmjen e së premtes në rajon, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Njësia e Mbrojtjes Civile thuhet se sulmet që Izraeli kreu mbrëmë nga ajri, toka dhe deti ndaj Gazës ishin shumë të rënda.

Ekipet e Mbrojtjes Civile mbetën të pamjaftueshëm përballë përmasave të shkatërrimit. “Sulmet izraelite shkatërruan plotësisht qindra ndërtesa në një natë në Rripin e Gazës”, theksohet në deklaratë.

Izraeli mbrëmë intensifikoi sulmet kundër Rripit të Gazës nën bllokadë kryesisht në pjesën veriore.

– Situata e fundit në Gaza

Për shkak të sulmeve intensive të Izraelit në Rripin e Gazës nën bllokadë u ndërprenë plotësisht shërbimi i komunikimit për linjat fikse telefonike, të telefonisë celulare dhe të internetit.

Ushtria izraelite njoftoi rritjen e sulmeve ajrore dhe zgjerimin e operacioneve tokësore.

Në shënjestrën e ushtrisë izraelite ishte edhe kompleksi më i madh shëndetësor, spitali “Al-Shifa” në të cilin ndodhen mijëra civilë të plagosur.

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që kanë vazhduar që nga 7 tetori është rritur në 7.703, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

“Në mesin e të vrarëve 3.595 janë fëmijë ndërsa 19.734 qytetarë janë plagosur që nga fillimi i sulmeve izraelite”, thuhet në njoftimin e ministrisë.