Man City kryen detyrën në Zvicër

Manchester City ka arritur të shënojë fitore në udhëtim ndaj ekipit zviceran, Young Boys.

Ishte një takim shumë më i vështirë sesa që pritej për ekipin e Pep Guardiolas, që triumfoi në fund me rezultat 1:3.

Dhe, të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë.
Atmosfera e jashtëzakonshme e tifozëve i mbajti të motivuar kampionët e Zvicrës, që nuk lejuan të pranonin gol në 45 minutat e parë.

Por, njëjtë nuk ndodhi në fraksionin e dytë.

Ishte Manuel Akanji që kaloi mysafirët në epërsi në minutën e 48-të.

Katër minuta më vonë, Young Boys barazoi shifrat nëpërmjet Elias.

Erling Haaland riktheu epërsinë e kampionit anglez, duke u treguar i saktë nga penalltia në minutën e 67-të të ndeshjes.

Ishte sërish sulmuesi norvegjez që realizoi në minutën e 86-të për të “blinduar” fitoren e mysafirëve.

Kësisoj, Manchester City tani ka nëntë pikë nga tri ndeshje dhe prin në grupin G.

Në anën tjetër, Young Boys mbetet në pozitën e tretë me një pikë të tubuar.