Kush është bukuroshja nga Kosova që ia rrëmbeu zemrën yllit anglez të ragbit

George Ford është njëri nga yjet e Anglisë në Kupën e Botës në ragbi.

Ai është i martuar prej një viti me Atdhetare Hoxhën, një vajzë nga Kosova. Tabloidi britanik ‘The Sun’ ka shkruar sot një artikull për shqiptaren nga Kosova.

Atdhetare Hoxha, 29 vjeç, është një pronare e një restoranti në Mançester dhe gruaja e yllit të ragbit, George Ford, 30 vjeç, shkruan ‘The Sun’.
Atdhetarja për herë të parë kishte shkuar në Britaninë e Madhe si refugjate në vitin 1999, pasi kishte ikur nga lufta në Kosovë në moshën 4 vjeçare.

Duke lënë një jetë të tërë pas në Kosovë, babai i Atdhetares ka punuar në restorante për të mbajtur familjen e tij, duke filluar nga larja e enëve, shkruan tabloidi britanik.

Atdhetarja gjithmonë ëndërronte të hapte restorantin e saj dhe ia arriti qëllimit në fillim të vitit 2020, kur hapi restorantin italian Sorella në Saddleworth të Mançesterit, në veri të Anglisë.

Atdhetarja filloi të punonte në një parukeri dhe ka provuar edhe biznese të tjera, përpara se të hapte restorantin Sorella.

Ndërkaq, bashkëshorti i saj, George Ford e filloi karrierën e tij profesionale në ragbi në nëntor të vitit 2009 me Leicester Tigers, duke u bërë lojtari më i ri ndonjëherë që debutoi në ligën angleze, Rugby Union, duke thyer rekordin e mëparshëm.

Pas dy vitesh të tjera me Leeds Carnegie, Ford u transferua në Bath në vitin 2013, ku qëndroi deri në 2017.

Më pas, Ford u kthye në Leicester ku bëri 88 paraqitje.

Në vitin 2022, Ford u transferua në ekipin e tij aktual, Sale Sharks.

Që nga debutimi me Anglinë në skenën ndërkombëtare, Ford ka 86 paraqitje për tre luanët.