Kryeministri Kurti takoi liderët evropianë në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me liderët evropianë, në margjina të një samiti të Bashkimit Evropian (BE) sot në Bruksel, transmeton Anadolu.

Siç ka publikuar në rrjetet sociale disa fotografi nga ky takim presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Kurti është takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Me Josep Borrellin dhe kolegët nga Bashkimi Evropian zhvilluam takim me kryeministrin Albin Kurti dhe pastaj me presidentin Aleksandar Vuçiq. Deeskalimi dhe rikthimi në normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është esencial. Pres që Këshilli Evropian të zhvillojë diskutime më tej”, theksoi Michel.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë për media se po tentojnë të gjejnë një zgjidhje brenda dialogut.

Ai ka thënë se ka gjasa të dalë nga Samiti i BE-së dhe të takohet sërish me kryeministrin Kurti e presidentin serb Vuçiq.

“Puna po vazhdon. Ndoshta duhet të largohemi nga mbledhja e Këshillit e të ulemi sërish me liderët e Kosovës e Serbisë, të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës e Serbisë shkon nëpërmjet këtij dialogu”, ka thënë Borrell.

Kryeministri Kurti një ditë para takimit në Bruksel theksoi se nuk do të ketë kthim në dialog nëse Serbia nuk dënohet dhe sanksionohet për “çfarë ka bërë”, duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës.