Ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Jun, tha se projekt-rezoluta e propozuar nga SHBA-ja në Këshillit të Sigurimit të OKB-së për konfliktin izraelito-palestinë do të kishte “rrënuar” plotësisht zgjidhjen me dy shtete nëse do të kishte kaluar, duke shtuar se për këtë arsye Pekini e kundërshtoi atë, raporton Anadolu.
Duke folur në Këshillin e Sigurimit, ambasadori Jun tha se propozimi shmangte “frymën e rezolutave të mëparshme të OKB-së dhe përfshinte logjikën e rrezikshme të përplasjes së qytetërimeve, justifikimin e luftës dhe përdorimit të forcës”.
“Nëse miratohet, do të shkatërrojë plotësisht perspektivën e zgjidhjes me dy shtete dhe do të zhysë popujt palestinezë dhe izraelitë në një rreth vicioz urrejtjeje dhe konfrontimi”, shtoi ai, bazuar në transkriptin zyrtar të fjalimit të tij.
Ai shtoi se pala amerikane injoroi anëtarët e tjerë të këshillit, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Brazilin, propozoi ndryshime në tekst dhe bëri ndryshime kozmetike në draft përpara se ta paraqiste atë.
Të mërkurën, dy projekt-rezoluta të propozuara veçmas nga SHBA-ja dhe Rusia për konfliktin e vazhdueshëm Izrael-Palestinë nuk arritën të kalojnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Këshilli fillimisht votoi projekt-rezolutën e SHBA-së, e cila kërkonte pauza humanitare në Gaza, dënoi sulmin e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas në Izrael dhe bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve” që po mbahen nga Hamasi.
Rezoluta mori 10 vota pro, ku Rusia, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe votuan kundër. Anëtarët e përhershëm të këshillit, Rusia dhe Kina, të dyja kanë të drejtën e vetos mbi çdo rezolutë, pavarësisht se si votojnë anëtarët e tjerë.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë anëtar i përkohshëm i këshillit.
Sipas shifrave zyrtare, në gati tre javë pas konfliktit aktual, i cili filloi më 7 tetor, rreth 7.028 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 2.913 fëmijë, 1.709 gra dhe 397 të moshuar, së bashku me 1,400 izraelitë.