Kasami i bashkohet VMRO-së: Nuk i votojmë Ndryshimet kushtetuese

I pyetur për ndryshimet kushtetuese dhe pse Lëvizja Besa nuk ka marrë pjesë me kandidatin e saj në Grupin Punues për ndryshimet kushtetuese, Bilall Kasami tha se presin që qeveria të jetë më e arsyeshme dhe se “përderisa qeveria nuk është e interesuar të dëgjojë zërin tonë, nuk do të votojmë ndryshimet kushtetuese”. “Qëndrimi ynë është i qartë”.

– Ne jemi pa mëdyshje pro ndryshimeve kushtetuese, sepse na e përshpejtojnë rrugën drejt BE-së. Por Qeveria tregoi edhe një herë se nuk është e interesuar të shtyjë përpara ndryshimet kushtetuese, sesa të jetë e interesuar të mbijetojë ditët e fundit dhe ta çojë mandatin deri në fund. Pse? Ne si lëvizje bëmë një kërkesë formale, por qëndrimi i përbashkët i opozitës shqiptare është që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e formulimit të gjuhës shqipe nga “gjuha e folur nga 20 për qind e qytetarëve” në formulimin “ gjuha shqipe”. Qeveria nuk ndjen as më të voglën përgjegjësi për ta futur në procedurë pa pasur detyrimin për të siguruar votat tona në Kuvend, tha Kasami në një intervistë për REL.