Izet Mexhiti: Fenomeni i fajdeve në Maqedoninë e Veriut, indikacione për investim të kapitalit rus dhe të Radojçiçit

Izet Mexhiti, lideri i Lëvizjes Demokratike në një intervistë për Televizionin Alsat ka ngritur alarmin se bashkë me kazinotë, është një fenomen tjetër që po merr hov në Maqedoninë e Veriut dhe se fjala është për fenomenin i kredive të shpejta për të cilat ka indikacione se janë investim i kapitalit rus dhe të Radojçiçit. Ndërsa Mexhiti gjithashtu vuri në dukje se kuadri i BDI-së, Fatmir Besimi po i jep lejet përmes ministrisë që drejton për kreditë e shpejta.

“Pra aty ku janë kazinotë hapen edhe kreditë e shpejta, të ndërmarrjeve të ndryshme ku është e përfshirë BDI sepse lejet nuk merren nga Banka Popullore siç merren për bankat në parim, por merren vetëm nga Ministria e Financave që udhëhiqet nga Fatmir Besimi dhe këtu ka indikacione që është i involvuar kapitali rus drejtpërdrejtë dhe është i involvuar Radojçiçi, i përfoluri në Mitrovicën e Veriut, sepse të gjithë e dimë që aty ka funksionuar banditizmi, larja e parave, ka funksionuar gjithçka që ka të bëjë me ekonominë e zezë dhe një ndërlidhje është me kreditë e shpejta të cilat jo-rastësisht nga Kosova janë mbyllur krejtësisht. Pra ato mbyllen në Kosovë dhe po hapen në Maqedoni“, është shprehur Mexhiti.

Lideri i LD-së, gjithashtu shfaqi brengosjen se vallë duke u futur para të dyshimta në Maqedoninë e Veriut në këtë mënyrë po rrezikohet stabiliteti apo partneriteti strategjik me NATO-n.