Hill: Nuk më intereson se mik i kujt është Radoiçiqi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christopher Hill, ka folur edhe njëherë rreth agresionit të Serbisë në Kosovë të kryer më 24 shtator, ku si pasojë e një sulmi të armatosur të një grupi terrorist serb, u vra polici Afrim Bunjaku.

Ai tha se nuk i intereson atij se mik i kujt është Milan Radoiçiq.

“Ne duam një hetim të plotë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”, tha Hill.

Diplomati amerikan foli edhe rreth asaj se nëse presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka ditur rreth kësaj teme.

Hill shtoi se kësaj pyetjeje do të mund t’i përgjigjet më mirë kur të shoh rezultatet e hetimit, pasi “shumë njerëz shtrojnë pyetjen se çfarë ka ditur presidenti dhe kur”.

“Nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë dhe njerëzit në veri të Kosovës që kanë nevojë për shpjegim. Në Kosovë është edhe KFOR-i ose NATO. Ne kemi nevojë për garanci që nuk do të ndodhë më, ne kemi nevojë për paqe dhe siguri”, thotë Hill.

Ai theksoi se SHBA-ja e kishte në sy Radoiçiqin për një kohë të gjatë duke theksuar se ndoshta ai do të akuzohet për disa vepra penale në fund.

“Megjithatë, shtrohet pyetja se kush e ka ditur për ato ngjarje. Kjo është një nga arsyet pse ne kemi nevojë për një hetim të plotë për të hedhur dritë mbi këto gjëra”, tha diplomati amerikan.