“Futbolli italian do të vdesë” – De Laurentiis reagon pasi Serie A shiti të drejtat televizive për 5 sezonet e ardhshme

“Futbolli italian do të vdesë” – De Laurentiis reagon pasi Serie A shiti të drejtat televizive për 5 sezonet e ardhshme

“DAZN” dhe “Sky” kanë siguruar të drejtat e transmetimit të Serie A deri në sezonin 2028/29. Kjo ka bërë që presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, të ankohet.

Lega Serie A miratoi ofertat nga “DAZN” dhe “Sky” gjatë një mbledhjeje sot, që do të thotë se dy transmetuesit do të vazhdojnë të shfaqin ndeshjet e ligës më të mirë të Italisë deri në sezonin 2028/29.

Ofertat nga “DAZN” dhe “Sky” kapin vlerën e së paku 4.5 miliardë eurove së bashku dhe u miratuan nga 17 klube prej 20 të Serie A. Salernitana dhe Cagliari votuan kundër ofertave, ndërsa Napoli as që votoi.
De Laurentiis u duk i zemëruar gjatë një konference për shtyp pas takimit dhe sipas “Tuttomercatoweb”, ai ndërpreu presidentin e Lega Serie A, Luigi De Siervo, i cili po fliste për mediat.

“Është një humbje për futbollin italian që do të vdesë me këto oferta. ‘Sky’ dhe ‘DAZN’ nuk janë kompetentë, nuk i bëjnë të mirën futbollit italian. Vlera e futbollit tonë duhet të kalojë përmes investimeve dhe tifozët janë e mira jonë absolute”.

De Laurentiis mbështeti një projekt për të parë Lega Serie A të krijojë kanalin e tyre për të transmetuar ndeshjet e ligës. Raportet në Itali në fillim të këtij muaji pohuan se “Oaktree Capital Partners” kishte bërë një ofertë për të mbështetur projektin .

‘DAZN’ ka ofruar 700 milionë euro në sezon për të transmetuar të gjitha 10 ndeshjet e Serie A deri në vitin 2029, ndërsa ‘Sky’ shtoi rreth 200 milionë euro më shumë në sezon për të shfaqur tre ndeshje çdo fundjavë.

“Kur shoh paketa që përfshijnë Ligën e Kampionëve, Serie A, seriale televizive dhe shfaqje, nuk e kuptoj vlerën e vërtetë të futbollit italian,” vazhdoi De Laurentiis.

“‘DAZN’ shet futbollin italian krahas sporteve të tjera. Ishte gjithashtu marrëzi të bësh një marrëveshje pesëvjeçare pas arritjes së një marrëveshjeje me Arabinë Saudite, tani që ka një luftë. ‘Sky’ dhe ‘DAZN’ nuk po bëjnë investime të mëdha. Ditën tjetër po shikoja Premierligëbn, Chelsea-Arsenal. Pastaj pashë tre ndeshje të Serie A. Mënyrat e xhirimit të futbollit tonë janë për të qeshur, por këta transmetues nuk na kanë thënë kurrë. Ne vazhdojmë të flasim për stadiume të vërteta, por kurrë nuk mendojmë për stadiume virtuale”, deklaroi presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis.