Ish-kryeministri Sali Berisha mendon se Rama nuk është gëzuar mbrëmë për fitoren e Shqipërisë. Duke komentuar mbi ndeshjen e mbrëmshme, Berisha sulmoi edhe kryeministrin Rama që ishte mbrëmë në stadium.
“Nuk mund të fillohet ky takim me ju pa një urim shumë të veçantë për kombëtaren tonë, ekipin në tërësi, golëshënuesit e mbrëmshëm Seferin dhe Asanin, me golat e tyre fantastikë, trajnerin, i cili po e ngjit këtë skuadër, këtë ekip kombëtar në nivelet më të larta.
Magjia e këtij trajneri është pothuaj reale. Silvinjo është shkrirë në një me psikologjinë e lojtarëve dhe krijon tek ata siguri të madhe dhe motivim të fortë. Ndeshja në vlerësimin tim modest, ishte më e bukura e kombëtares tonë që unë kam parë ndonjëherë.
Por nuk ishte vetëm fusha, nuk ishin vetëm entuziazmi dhe ndezja flakë e fansave nën himnin e kënduar nga Shkurte Fejza, po pati momente po kaq pikante sa edhe vetë golat. Sa edhe vetë himni. Ju e patë, aq sa ishte të themi lartësimi dhe krenaria që krijoi ekipi me lojën e tij fantastike, por aq ishte domethënia e ndëshkimit që i bënë përçarësit të kombit, i cili nxinte sterrë.
Ju jeni dëshmitarë se si rrinte si në gjemba. Si tiran, pa duartrokitur njëherë ekipin. Sepse shihte ato. Përçarësi i kombit.
Se ç’ndodhi më pas mes tij dhe Dukës, atë jeni gazetarë dhe investigojeni, por unë them se ajo ishte përgjigjja më e merituar që i dhanë një përçarësi, që edhe ditën e ndeshjes, në prag të samitit të Procesit të Berlinit, shfrytëzoi parlamentin për një fjalim koprolalik, kundër udhëheqjes politike të Kosovës, si vëllai i Vuçiçit, siç thotë ai, apo të themi Pashiqi shqipfolës apo argati i Beogradit, siç e quan PD” tha ai.