Presidenti egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi njoftoi përpjekjet arabe për të rënë dakord mbi një udhërrëfyes që përfundimisht do të çonte në një shtet të pavarur palestinez, raporton Anadolu.
Në hapjen e Samitit të Paqes në Kajro, Al-Sisi tha: “Ju ftova sot të diskutojmë dhe të punojmë së bashku drejt arritjes së një konsensusi specifik mbi një udhërrëfyes, i cili synon t’i japë fund tragjedisë aktuale humanitare dhe të ringjallë rrugën e paqes përmes disa sferave”.
“Kjo fillon me sigurimin e një fluksi të plotë, të sigurt, të papenguar dhe të qëndrueshëm të ndihmës humanitare për popullin e Gazës, ndjekur menjëherë nga negociatat për arritjen e qetësisë dhe armëpushimit”, tha presidenti egjiptian.
“Më pas do të fillojnë menjëherë bisedimet për ringjalljen e procesit të paqes për të vënë në fuqi zgjidhjen me dy shtete dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez, që do të jetojë krah për krah me Izraelin, në bazë të rezolutave të legjitimitetit ndërkombëtar”, shtoi ai.
“Kjo do të ndodhë duke punuar, me zell, për të forcuar Autoritetin Kombëtar legjitim Palestinez për të marrë detyrat e tij, me kapacitet të plotë, në territoret palestineze”, tha Sisi.
Presidenti egjiptian theksoi gjithashtu se “likuidimi” i kauzës palestineze “nuk do të ndodhë kurrë në kurriz të Egjiptit”.
Samiti i Paqes në Kajro filloi me pjesëmarrje ndërkombëtare, arabe dhe të OKB-së për të diskutuar zhvillimet e fundit në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës.
Sipas medias së Egjiptit, të paktën 31 vende dhe tri organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Samitin e Paqes në Kajro.