Edhe pse kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet, fuqitë perëndimore kundër armëpushimit

Ndërsa më shumë se 7 mijë njerëz, shumica prej tyre fëmijë dhe gra, kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit në Gaza, thirrjet për një armëpushim për ndalimin e dhunës ose po bllokohen ose po injorohen nga vendet perëndimore.

Korrespondenti i Anadolus ka përpiluar reagimet e shumë vendeve në lidhje me sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj Gazës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë fjalimit të tij në Shtëpinë e Bardhë për investimet, presidenti amerikan Joe Biden tha se mund të diskutojnë një armëpushim për konfliktin izraelito-palestinez pasi të gjithë pengjet e mbajtura nga Hamasi të lirohen.

Në projektrezolutën e dorëzuar nga Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) më 25 tetor, ndaj të cilës u vendos veto, thuhej se “sulmet terroriste të kryera nga Hamasi më 7 tetor dënohen ashpër” dhe se vendet kanë të drejtë të vetëmbrojtjes.

Ndërsa projektligji vuri në dukje domosdoshmërinë e një “pauze humanitare të armiqësive” në vend të një armëpushimi, në të thuhej se Gazës duhet t’i ofrohej ndihmë e qëndrueshme.

Nga ana tjetër, projektrezoluta e dorëzuar nga Rusia në KS të OKB-së më 16 dhe 25 tetor në lidhje me shpalljen e menjëhershme të “armëpushimit humanitar” në Gaza, u përball me veton e ShBA-së.

Evropa nuk e mbështet “armëpushimin”

Ndërsa Bashkimi Evropian (BE) deklaroi se nuk do të bënte thirrje për një armëpushim në konfliktin izraelito-palestinez, Peter Stano, zëdhënës i Komisionit të BE-së, tha: “Nuk ka asnjë thirrje armëpushimi nga BE-ja në këtë fazë”.

“Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit vazhdon. Në këtë rast, qëndrimi aktual i BE-së është se ne jemi në anën e Izraelit dhe Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga sulmet terroriste. Theksojmë se kjo duhet të bëhet brenda kornizës së të drejtës humanitare”, tha Stano.

Gjatë “vizitës së tij të solidaritetit me Izraelin”, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se koalicioni ndërkombëtar i krijuar kundër DAESH-it mund të luftojë edhe kundër Hamasit dhe se Franca është e gatshme për këtë, dhe bëri thirrje për krijimin e një “koalicioni rajonal dhe kombëtar” për “të luftuar grupet terroriste”.

Duke deklaruar se lufta kundër Hamasit duhet të kryhet “në mënyrë të pamëshirshme”, por jo “pa rregulla”, Macron i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të respektojë ligjin e luftës dhe të lejojë aksesin humanitar në Gaza.

Macron, i cili realizoi takim me Autoritetin Palestinez menjëherë pas Izraelit, deklaroi se asgjë nuk do të “justifikonte” dhimbjen e përjetuar nga civilët në Gaza.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, gjithashtu mbështeti Izraelin, duke thënë: “Për Gjermaninë, siguria e Izraelit është e panegociueshme. Si çdo shtet në botë, Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga terrorizmi brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar. Adresimi i gjendjes së vështirë të palestinezëve dhe ky qëndrim i hapur dhe i palëkundur nuk janë në mospërputhje në asnjë mënyrë”.

Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se qëndrojnë “ngushtë dhe të palëkundur me Izraelin” kur u pyet për armëpushimin.

“Sulmi vazhdon. Më shumë se 200 pengje, të përbërë pothuajse tërësisht nga civilë të rrëmbyer brutalisht, janë ende duke u mbajtur rob. Duke qenë kështu, nuk e di si mund të pritet një armëpushim, pasi ky sulm po vazhdon”, tha ai.

Në deklaratën e tij për shtyp përpara Samitit të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) të mbajtur në Bruksel, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez sugjeroi mbajtjen e një konference paqeje brenda gjashtë muajve për t’i dhënë fund konflikteve midis Izraelit dhe Palestinës dhe për njohjen e Shtetit të Palestinës.

Duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm nën emrin “pauzë humanitare të armiqësive” për të ndaluar sulmet e Izraelit ndaj Palestinës në Rripin e Gazës, Sanchez theksoi se hyrja e qëndrueshme e ndihmës humanitare duhet të lejohet për të përmbushur nevojat humanitare.

Sanchez përsëriti gjithashtu se ai “dënon qartë, plotësisht dhe pa mëdyshje sulmin e Hamasit ndaj Izraelit” dhe deklaroi se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet brenda kornizës së të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Britania propozon “pauza të caktuara” në vend të armëpushimit

Kryeministri britanik Rishi Sunak, në pyetjen: “A nuk do të bëni thirrje për armëpushim?”, tha se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet”, pa prekur çështjen e armëpushimit.

Duke deklaruar se nevojiten “pauza të caktuara, ndryshe nga armëpushimi”, në situata të caktuara, Sunak tha: “Hamasi është përgjegjës për këtë konflikt dhe Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten siç thuhet qartë në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të paralajmërojmë Izraelin të respektojë ligjin ndërkombëtar”.

Në konferencën për shtyp të mbajtur dje për gazetarët e huaj në Londër, zëdhënësi i kryeministrisë britanike u pyet se “Çfarë duhet të ndodhë që qeveria britanike të bëjë thirrje për një armëpushim?”. “Një armëpushim aktualisht do t’i shërbejë vetëm Hamasit”, u përgjigj ai.

Mark Rutte, kryeministri i qeverisë së përkohshme holandeze, në fjalimin e tij në seancën e mbajtur në Dhomën e Përfaqësuesve për luftën Izrael-Hamas, tha se është në favor të një “pauze humanitare” në mënyrë që furnizimet me ndihma të mund të dorëzohen në Gaza.

Rutte tha se ai beson se armëpushimi është një situatë e padëshirueshme dhe se kjo do të thoshte se Izraeli nuk do të mund të luftonte më kërcënimin nga Hamasi.

Duke u shprehur se beson se një armëpushim nuk është i mundur për momentin dhe se paraqet shumë pengesa, Rutte deklaroi se mbrojtja e armëpushimit do të izolonte Holandën.

Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman, në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në të cilin mori pjesë në fillim të javës, deklaroi se vendi i tij dënon edhe një herë sulmet e Hamasit. “Ne bëjmë thirrje për lirimin e pengjeve. Ne vazhdojmë mbështetjen tonë të fortë për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”.

“Mbështesim gjithashtu aktivitetet për ndihmat humanitare. Është e rëndësishme të kufizohen humbjet e jetëve dhe vuajtjet njerëzore”, tha ai.

Edhe parlamenti bullgar bëri deklarata duke dënuar sulmin e Hamasit dhe deklaroi se e drejta më e natyrshme e Izraelit është të mbrohet.

Po ashtu, edhe shtetet baltike, si dhe Zvicra, kanë theksuar se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, ndërsa Sllovenia ka bërë thirrje për “armëpushim humanitar sa më herët në mënyrë që të krijohen korridore për ndihma humanitare”.

Italia dhe Malta mbështesin “zgjidhjen me 2 shtete”

Në fjalimet e saj që nga fillimi i krizës, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka theksuar se Hamasi duhet të dënohet për krimet për të cilat është përgjegjës dhe se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar” dhe në të njëjtën kohë ka deklaruar se duhet të punojmë të gjithë së bashku për të parandaluar përshkallëzimin e krizës. Meloni ka ritheksuar se zgjidhja për këtë çështje është “zgjidhja me dy shtete”.

Kryeministri maltez Robert Abela ka deklaruar gjithashtu se dënojnë të gjitha format e dhunës dhe se janë në favor të një “zgjidhjeje me dy shtete” për çështjen izraelito-palestineze.