Daja: Nuk kemi pse ta ulim kokën

Ballkani ka pësuar humbjen e dytë në fazën e grupeve të Conference Leageu këtë sezon.

Kampioni i Kosovës u mposht në stadiumin “Fadil Vokrri” nga skuadra e Astanas, me rezultat 2-1, transmeton IO.

Pas kësaj humbje, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja tha se kjo humbje erdhi në momentin më të mirë, por ai dhe futbollistët nuk kanë pse ta ulin kokën.

“Pas gjithë fitoreve në ‘Fadil Vokrri’ erdhi një humbje që është e pritshme në futboll. Humbja erdhi në momentin tonë më të mirë. Nuk është dramë e madhe sepse kemi bërë shumë. Por humbja erdhi edhe për meritë të kundërshtarit. Ishte ditë jo e mirë për ne për mënyrën se si humbnim topat në pasimin më të thjeshtë. Shumë aksione të kundërshtarit u ndërtuan nga gabimet tona. Natyrishëm që nuk kemi pse ta ulim kokën sepse kemi bërë gjithë atë histori. Ndoshta nuk ishte ky momenti për të humbur. Ne bëmë gabime në pasime të thjeshta dhe kundërshtari e shfrytëzoi duke marrë kontrollën e lojës. Por, sot jam krenar me futbollistët e mi, ashtu siç kam qenë edhe para një jave, edhe para dy jave.
Kjo humbje nuk besoj se do të ndikoj ndonjë gjë te ne sepse në fund fare, kemi bërë dy herë historinë, me dy pjesëmarrje në fazën grupore. Kjo është historia më e madhe. Nuk ka qenë rastësi sepse ndodhi dy herë rresht. Kur ka vazhdimësi, nuk ka arsye për ta ulur kokën, sepse rezultati i pranon tri rezultatet”, deklaroi Ilir Daja për “ArtMotion”.