Civilët në Gaza i afrohen vdekjes çdo moment

Njerëzit që jetojnë në Rripin e Gazës, të cilëve u janë ndërprerë furnizimet me energji elektrike, uji dhe ushqimi që nga sulmi shkatërrues i kryer nga Hamasi në qytetet kufitare izraelite javën e kaluar, po ikin nga vendet për t’u fshehur nga sulmet hakmarrëse ajrore izraelite që kanë goditur Gazën për ditë të tëra.

“Luftëtarët e Hamasit sulmuan të shtunën Izraelin, duke shkaktuar gjakderdhjen më të keqe në historinë e shtetit”, tha Izraeli.

Që atëherë, ushtria izraelite ka bombarduar qindra objektiva në Gaza, të cilat sipas saj janë të lidhura me organizatën ekstremiste palestineze, e cila sundon zonën me popullsi të dendur në brigjet e Mesdheut.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 1 354 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 6 000 të tjerë janë plagosur në brezin bregdetar.

Ushtria izraelite akuzon Hamasin për përdorimin e njerëzve si “mburoja” dhe për fshehjen ose ruajtjen e armëve në mesin e popullatës civile.

Dëshmitarët okularë thonë se lagjet si Al-Rimal, Al-Mukhabarat dhe Al-Tuffah janë shkatërruar të gjitha.

“Ndihemi sikur po i afrohemi vdekjes çdo moment, por jeta e fëmijëve është më e rëndësishme”, thanë ata.

Dy milionë palestinezë jetojnë në enklavën e mbyllur bregdetare dhe shumë prej tyre janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre.