Ajeti: Jam i lumtur për rikthimin, Shqipëria e tanishme më cilësore se ajo e vitit 2016

Shqipëria është në prag të sfidës miqësore përballë Bullgarisë, me “kuqezinjtë” të cilët do të zhvillojnë ndeshjen e fundit për muajin tetor.

Në prag të kësaj sfide, Arlind Ajeti, në një intervistë për “SuperSport”, deklaroi se ndjehet shumë i lumtur që mori përsëri ftesën nga Kombëtarja, ndërsa theksoi se kjo Shqipëri ka më shumë cilësi se skuadra e vitit 2016.

Rikthimi: “Unë jam shumë i lumtur që jam këtu. Për pak kohë isha i shkëputur, por futbolli i ka këto gjëra dhe ne duhet t’i pranojmë këto ulje-ngritje. Unë jam mundur të bëjë mirë kudo ku kam luajtur, si te ekipet ku jam aktivizuar, por edhe në Kombëtare. Jam shumë i lumtur që jam këtu, sepse Kombëtarja është një ndjesi speciale.”
Ndeshja me Çekinë: “Unë jam gjithmonë i gatshëm për Kombëtaren, e prita shumë mirë rikthimin në fushë dhe jam i lumtur.”

A e mendoje që një ditë do të luaje sërish në Europian, pas eksperiencës në vitin 2016? “Nuk e di, por realisht e dija dhe besoja te kjo Kombëtare sepse ka shumë cilësi. Jemi shumë afër EURO 2024 dhe mendoj se grupi e ka treguar që e meriton të luajë në Europian.”

Sylvinho apo De Biasi? “Janë dy trajnerë të ndryshëm, por edhe lojtarët kanë ndryshuar. Kushdo që vjen këtu jep 200% e tij dhe mendoj se sot për sot Kombëtarja ka më shumë cilësi. Lojtarët që sot janë këtu luajnë në kampionatet më të forta të Europës, tani jemi më të shumtë.”

A duhet të mendojmë për të kaluar grupin në Europian? “Ne jemi të fokusuar te ndeshja e radhës. Tani mendojmë për Bullgarinë, pastaj për Moldavinë dhe Ishujt Faroe, sepse duam kualifikimin dhe kualifikimin e duam që në Moldavi, pastaj për Europianin ka ende kohë.”

E ardhmja, a e mendon Ajeti largimin nga Rumania? “Çdo gjë është e mundur Kombëtarja t’i hap dyert e karrierës dhe shpresoj të bëj një hap të rëndësishëm, por të shohim. Personalisht ua uroj të gjithëve që të kenë një të ardhme të ndritur sepse të gjithë e meritojnë për atë çfarë kanë dhuruar me Kombëtaren”.

Mbrojtësi ishte pjesë e Kombëtares në EURO 2016 dhe tashmë është rikthyer pas ftesës së trajnerit Sylvinho, ndikuar edhe nga mungesa e Ismajlit.