Premtimi i presidentit amerikan Joe Biden për një paketë të re ndihmash ushtarake prej 325 milionë dollarësh, duket se i ka kënaqur pritshmëritë e liderit Ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ky i fundit vizitoi Shtetet Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe të enjten u takua me Biden në Shtëpinë e Bardhë. Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Ukrainës.
“Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë do të vazhdojmë të garantojmë siguri dhe mbështetje për Ukrainën, për ta ndihmuar të përparojë drejt rimarrjes së territorit të vet. Rusia është e vetmja që po pengon paqen”, tha Biden.
Ndihma e re amerikane nuk përfshinë raketat me rreze të gjatë veprimi, të cilat Ukraina i ka kërkuar prej kohësh, për ta ndihmuar atë në përballjen me sulmet ruse me dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi. Zelensky
“Falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Biden, për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën. Një ndihmë shumë e fuqishme. Shumë faleminderit!”, tha Zelensky.
Presidenti Biden tha se beson që Kongresi do të marrë një “vendim të drejtë”, lidhur me kërkesën e tij për më shumë fonde për Ukrainën. Komentet e Presidentit Biden lidhur me gatishmërinë e Kongresit për të rritur ndihmën për Ukrainën pasuan njoftimet se Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, nuk e kishte pranuar kërkesën e Presidentit Zelensky për të mbajtur një fjalim para dy Dhomave të Kongresit amerikan. Presidenti Zelensky zhvilloi një numër takimesh të enjten në Uashington, përfshirë me ligjvënës në Kapitol dhe me Sekretarin e Mbrojtjes në Pentagon, në përpjekje për forcuar mbështetjen për më shumë ndihmë për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.