Xhaka viziton Kosovën në stërvitje, përshendetje e ngrohtë mes tij dhe Zhegrovës

Kombëtarja e Kosovës po zhvillon sonte seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së nesërme ndaj Zvicrës.

Granit Xhaka, kapiteni i “Helvetikëve”, shfrytëzoi këtë rast për të vizituar “Dardanët”, teksa u pa duke biseduar me futbollistët.

Xhaka dhe Edon Zhegrova u panë duke shkëmbyer një përqafim të ngrohtë, teksa mesfushori i Bayer Leverkusenit pastaj përshendeti edhe Betim Fazlijin.
Kujtojmë se ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim prej orës 20:45.

Kjo do të jetë përballja e parë zyrtare mes ekipeve të dy shteteve, teksa i takon kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kosova është e pesta dhe e parafundit në Grupin I me 3 pikë, aq sa ka edhe Bjellorusia një pozitë më lartë.

Në këtë grup prin Zvicra me 10 pikë, e ndjekur nga Rumania me 8 sosh. Izraeli është i treti me 7 pikë. Andorra është e fundit me vetëm 1 pikë.