UEFA e dënon Rumaninë për incidentin ndaj Kosovës

Federata e Futbollit e Rumanisë (FFR) njoftoi të mërkurën se është gjobitur me 52 mijë euro, si dhe është dënuar me një ndeshje pa tifozë të përgjithshëm nga UEFA, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës.

Më 14 shtator, shtëpia e futbollit evropian, UEFA, njoftoi se hapi procedurë disiplinore ndaj FFR-së, nën akuzat për disa shkelje gjatë përballjes me Kosovën më 12 shtator në Bukuresht , përfshirë për sjellje raciste dhe mesazhe fyese.

“UEFA ka vendosur ta gjobitë Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52.000 euro, dhe me ndeshjen e radhës mbrapa dyerve të mbyllura”, njoftoi FFR.

Megjithatë, sipas saj, Rumanisë do t’i lejohet ta mbushë stadiumin me fëmijë nën moshën 14-vjeçare për ndeshjen e 15 tetorit kundër Andorrës.

Federata rumune akuzohej për sjellje raciste, mesazhe provokuese të natyrës fyese, ndezje të fishekzjarrëve, hedhje të gjësendeve dhe bllokim të rrugë, gjatë ndeshjes së 12 shtatorit.

Çfarë ndodhi në Bukuresht?
Kur kishin kaluar 17 minuta lojë në Arenën Kombëtare në kryeqytetin rumun, gjyqtari francez Willy Delajod e ndërpreu lojën pasi në pjesën mbrapa portës së Kosovës u pa një pankartë raciste dhe nisën thirrjet nacionaliste të tifozëve rumunë.

Futbollistët e Kosovës nuk pranuan ta vazhdonin lojën nën kushte të tilla, duke e njoftuar gjyqtarin e ndeshjes për atë që kishin parë.

Gjyqtari, më pas, udhëzoi futbollistët e të dyja kombëtareve që të kthehen në dhomat e zhveshjes.

Ndeshja rifilloi pas plot 50 minuta pushim, pasi delegati i UEFA-s ia tërhoqi vërejtjen organizatorit të mos lejonte përsëritjen e thirrjeve diskriminuese.

UEFA kishte njoftuar në uebsajtin e vet zyrtar se “për shkak të sjelljeve diskriminuese ndeshja u ndërpre deri në njoftimin e radhës”.

Kosova, e cila luajti me 10 futbollistë shumicën e kohës pas përjashtimit të sulmuesit Vedat Muriqi pas dy kartonëve të verdhë në pjesën e parë, u mposht 2:0, duke humbur shpresat për pjesëmarrje në një turne të madh futbolli për herë të parë në historinë e ekipit kombëtar, i cili u pranua në UEFA dhe FIFA më 2016.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, reagoi pas incidentit duke shënuar në rrjetin social Facebook: “Teksa djemtë tanë e vazhdojnë lojën me zemër e profesionalizëm, dinjiteti i shtetit të Kosovës është mbi çdo provokim. Shkëlqeni sonte!”

Federata e Futbollit e Rumanisë (FFR) e dënoi revizionizëm dhe mesazhet e natyrës politike të shfaqura gjatë ndeshjes.

“Federata e Futbollit e Rumanisë distancon veten fuqishëm nga sjelljet e papërgjegjshme të një grupi të përkrahësve nga tribuna jugore, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës mbrëmë në Arenën Kombëtare. Së pari, ne e përsërisim parimin në bazë të të cilit qeveriset futbolli në Rumani, akti për mosndërhyrjen e politikave në sport”, tha federata rumune në një reagim pas ndeshjes.

Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.