Trupi i Kontrollit Financiar të Klubit të UEFA-s do të hetojë transferimet e tre lojtarëve; Marco Verratti, Julian Draxler dhe Abdou Diallo, që u transferuan në Katar nga Paris Saint-Germaini.
Parisienët thuhet se kanë grumbulluar një total prej 80 milionë eurosh përmes shitjeve të Verrattit dhe Diallos te Al-Arabi, si dhe të Draxlerit në Al-Ahli.
Meqenëse Katari është aksionari kryesor i PSG-së përmes “Katar Sports Investments”, një degë e fondit të pasurisë së vendit, afërsia mes klubeve të Katarit dhe PSG-së vihet në pikëpyetje.
Sipas “L’Equipe”, ekspertët e “Fair Play-it” financiar në UEFA mund të “ngrijnë” një transferim në llogaritë financiare të PSG-së, nëse besojnë se ka diçka të dyshimtë rreth këtyre lëvizjeve.
UEFA gjithashtu mund ta bëjë këtë nëse mendon se tarifat e transferimit janë të fryra për të anashkaluar nevojën për të balancuar financat. Kjo është arsyeja pse UEFA dëshiron të përcaktojë nivelin e afërsisë midis klubeve blerëse dhe klubit shitës – PSG.
Nga kampionët francezë u tha se e kuptojnë polemikën, por se mendojnë se janë brenda të drejtës së tyre, duke marrë parasysh se “Katar Sports Investments” nuk zotëron asnjë aksion as në Al-Arabi SC dhe as në Al-Ahli.
Te PSG-ja gjithashtu besojnë se futbollistët e përmendur u shitën me çmimet e tregut.