Trafikoi 5 kg kokainë dhe pastroi 330 mijë paund, shqiptari në Gjermani i shpëton ekstradimit drejt Britanisë
Gjermania ka refuzuar të ekstradojë në Britani një shqiptar të akuzuar për trafik droge, pasi avokati i tij arriti të bindë gjykatën se kushtet e sistemit të burgjeve angleze janë aq të këqija sa do të cënonin të drejtat e tij njerëzore. Vendimi cilësohet i paprecedentë nga mediat britanike të cilat thonë se ky është rasti i parë që një gjykatë artikulon një aktakuzë të ashpër ndaj sistemit të burgjeve në vend.
Rasti bën fjalë për një shqiptar, i cili ndërsa jetonte në Britani u përball me akuzat për trafikimin e 5 kg kokainë dhe pastrimin e një shume prej rreth 330 mijë paund. Arrestimi i shqiptarit ndodhi në Gjermani ku ai udhëtoi për të vizituar të fejuarën e sëmurë. Gjykata e VVestminster lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj shqiptarit dhe më pas kërkoi ekstradimin e tij.
Kërkesa u shqyrtua nga Gjykata Rajonale e Karlsruhe-s e cila para se të merrte vendimin shtroi disa pyetje specifike për autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me kushtet e burgut ku pritej të mbahej personi për të cilin kërkohej ekstradimi.