“Perëndimi duhet të punojë në forcimin e sovranitetit të Kosovës, të heqë dorë nga ‘marrëzia’ siç është realizimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta detyrojë Serbinë të heqë dorë nga irredentizmi. Çështja nuk është ajo që duket si një kompromis i drejtë në letër, por si do ta përdorë Serbia një entitet të tillë në praktikë. Në praktikë, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës nacionaliste të rimarrjes së Kosovës, kështu që çfarëdo autonomie institucionale për serbët në Kosovë do të ndërtohej në atë mënyrë derisa të krijohet brenda shtetit të Kosovës, një shtet irredentist serb, që do të përdorej për ta përmbysur tërë Kosovën ose për ta copëtuar atë.” – Prof. Marko Atila Hor (Marko Attila Hoare, 1972- ), historian britanik
* * *
Kriza e madhe lindore filloi në vitin 1875 me shpërthimin e kryengritjeve dhe të luftërave në territoret e Ballkanit që ishin nën sundimin osman. Kriza rezultoi me ndërhyrjen e fuqive ndërkombëtare dhe përfundoi me Marrëveshjen e Berlinit në korrik të vitit 1878. Që atëherë e deri në ditët tona, Rusia ndjek politikë antishqiptare.
* * *
Dialogu i Brukselit dhe qëndrimi nebuloz i Perëndimit – Problem i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nuk është kryeministri Albin Kurti. Problem është Serbia, e cila nuk kërkon të drejta për serbët e Kosovës, por kërkon territor për vete.
Për t’u mbyllur me sukses dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra duhet t’i paraqesin Beogradit kërkesa të caktuara.
Një prej kërkesave do të ishte: të marrë fund gjenocidi i heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
Serbia në Kosovë kërkon asociacion, ndërsa në Kosovën lindore:
a) e ndalon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar;
b) nuk është në gjendje të sigurojë as tekste shkollore;
c) i shuan adresat e shqiptarëve;
ç) nuk investon asnjë euro për zhvillimin e ekonomisë së asaj zone.
Rajonin e sipërthënë, Serbia e ka shndërruar në geto. Para gjenocidit të sipërthënë, fuqitë perëndimore heshtin. Është absurde të kërkosh krijim asociacioni në veri të Kosovës, ndërsa para gjenocidit serb në Kosovën lindore t’i mbyllësh sytë.
Perëndimi duhet të kërkojë nga Beogradi që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë ku figuron si pjesë e saj. Perëndimorët duhet të kërkojnë nga Beogradi që politikanët serbë kur të japin betim, të mos e përmendin Kosovën si “pjesë e Serbisë”. Për çfarë dialogu mund të flitet, kur në kushtetutën serbe Kosova figuron si pjesë e Serbisë.
Perëndimorët duhet t’i thonë Beogradit se serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat, që s’i ka asnjë bashkësi etnike në BE. Ç’kërkon Beogradi përtej kësaj?! Dihet, kërkon territor.
Perëndimorët duhet t’i thonë Beogradit se kërkesa për territor është në kundërshti me filozofinë politike të BE-së. Sipas parimeve politike të BE-së, problemet midis popujve duhet të zgjidhen duke u siguruar bashkësive etnike të drejta demokratike dhe jo ndryshim kufijsh midis shteteve.
A s’e shohin perëndimorët se Serbia në rajon ndjek politikë destruktive dhe luftënxitëse. Ajo ka synime hegjemoniste, ekspansioniste, dominuese. Ndjek politikë force dhe kanoset me luftë. Përpos aspiratave territoriale ndaj veriut të Kosovës, Serbia ka aspirata hegjemoniste edhe ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi. Ajo pandeh se Maqedoninë e ka ndër sqetull.
A s’e shohin perëndimorët se Serbia është me Rusinë, me Kinën apo me vendet e BRIKS-it (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut). Asnjë prej tyre s’e ka njohur Kosovën. A s’e vërejnë perëndimorët se Serbia ka blerë armë dhe është armatosur nga Rusia. Serbia është i vetmi shtet i Evropës që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Shqiptarët në shkallë kombi e kanë dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, ndërsa një përqindje e madhe e popullit serb e mbështesin luftën ruse në Ukrainë.
Herë pas here Vuçiqi mban do fjalime. Fjalimet e tij janë ëndrra për një Serbi të Madhe. Retorika e tij përputhet plotësisht me diskursin politik dhe ultranacionalist të Milorad Dodikut të Republikës Serbe të BH-së.
Perëndimorët e dinë mirë se Serbia ndjek politikë nacional-socialiste dhe klerofashiste. Politikën e Millosheviqit dhe të vojvodës së çetnikëve, Voisllav Sheshelit, të fundit të viteve ’80 dhe të viteve ’90 të shekullit XX, sot e vazhdon Vuçiqi. Atëherë del se midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë dialog. Me fjalë të tjera, as ka dialog, as ka pasur diç të tillë. Çfarë dialogu mund të presësh prej epigonëve të nacional-socialistëve, të radikalëve dhe të çetnikëve serbomëdhenj. Çfarë dialogu pret prej përfaqësuesve të klerit antishqiptar serbomadh?! Ndjekësit e vijës së Millosheviqit dhe të Sheshelit s’e kanë vendin në tavolinat e zyrave të Brukselit. Të tillët e kanë vendin në Hagë, ku të ballafaqohen me akuza për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid të kryer ndaj shqiptarëve.
Perëndimi duhet t’i kërkojë Beogradit të miratojë rezolutë me të cilën t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet e kryera në vitet 1998-1999. Serbia duhet t’i paguajë Kosovës zhdëmtim për politikën kolonialiste ndaj Kosovës që nga viti 1912 e këndej.
I ashtuquajturi dialog midis Kosovës dhe Serbisë ka mbi dhjetë vjet që ka ngecur. Përse?! Për arsye se në dialog, në mënyrë të tërthortë ka qenë e përfshirë Rusia e Putinit dhe e Lavrovit.
Moska i sugjeron Beogradit: “Në dialogun me Kosovën mos pranoni asgjë më pak se një republikë serbe, një shtet brenda shtetit. Pas jush qëndrojmë ne!”
Atëherë si mund të ketë dialog?! Për çfarë dialogu mund të flitet?!
Këtu kemi një paradoks: Në një anë Serbia kërkon asociacion, kurse në anën tjetër, në kushtetutën e vet Kosovën e quan pjesë të saj! Në një anë kërkon asociacion, ndërsa në anën tjetër thotë se pavarësinë e Kosovës s’ka për ta njohur kurrë. Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra heshtin.
* * *
Pas rënies së Millosheviqit, fuqitë perëndimore duhej t’i kishin kërkuar Serbisë të transformohet në pikëpamje ideopolitike, ndërsa shoqëria serbe të përjetojë katarzis. Kjo nuk ndodhi. Nga kjo del se politika e Millosheviqit dhe e Sheshelit nuk paska rënë. Ajo vazhdon nëpërmjet epigonëve të tyre – Aleksandar Vuçiqit, Tomisllav Nikoliqit, Ivica Daçiqit, Aleksandar Vulinit, Milorad Dodikut. Dy të fundit, të shpallur nga Uashingtoni persona të padëshiruar.
* * *
Pas disfatës së nazizmit, në Gjermani erdhën politikanë të cilët e bënë denacifikimin e shtetit. Konrad Adenhaueri (1876-1967) ishte i pari kancelar i Republikës Federale Gjermane të sapoformuar. Demokrat pragmatik dhe mbrojtës i palodhshëm i Evropës së bashkuar. Gjatë udhëheqjes së Gjermanisë së pasluftës në vitet 1949-1963, e ndryshoi pamjen e saj dhe rrjedhën e historisë së Evropës. Ai dhe politikanët e tjerë të brezit të tij thanë: “Vetëm me një Evropë të bashkuar mund të arrihet paqja e përhershme”.
Në vitin 1970, kancelari Vili Brant (Willy Brandt, i lindur si Herbert Ernst Karl Fram, 1913-1992) bëri një vizitë në Poloni. Në paraditen e 7 dhjetorit të viti 1970, para përmendores së kryengritjes në geton e Varshavës, vendosi kurorë. U spraps nja-dy hapa dhe kokulur ra në gjunjë. Mbi granitin e lagët qëndroi tridhjetë sekonda. Fotografët e bënë punën e vet dhe skena sakaq mori dheun. Në kujtimet e veta, kancelari shkroi: “Mbi humnerën e historisë gjermane, nën barrën e miliona të vrarëve, e bëra atë që e bën njeriu kur i ndalet gjuha”. Duke u bazuar në motivet e krishtera, u gjunjëzua si mëkatar. Ishte lutur që t’u falet gjermanëve.
Serbia është e prapambetur për të nxjerrë politikanë që do t’u kërkonin falje shqiptarëve për të zezat e bëra.
* * *
Trazirat në veri nuk i shkakton Kosova, i shkakton Beogradi. Perëndimorët këtë duhet t’ia thonë prerë Beogradit. Në veri të Kosovës veprojnë grupe terroriste serbe. Ato grupe i ka krijuar Beogradi, bashkë me Moskën. Ato mbështeten dhe financohen nga Beogradi. Prej Serbie, ata sjellin armë në veri.
Duke qenë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ka të drejtë dhe për detyrë të ushtrojë pushtet mbi tërë territorin e saj, t’i luftojë strukturat paralele të mbështetura nga Serbia, ta luftojë dhe ta parandalojë kontrabandën, krimin e organizuar dhe anarkinë.
Serbët e Kosovës janë peng i Beogradit. Serbia ua ka ngulfatur atyre hapësirën demokratike, ua ndalon angazhimin në institucionet e shtetit dhe integrimin në shoqërinë kosovare. Qëllimi i Beogradit duhet: ndarja e Kosovës dhe shkëputja apo amputimi i një pjese të territorit të saj.
Çudi sesi perëndimorët nuk i kërkojnë Vuçiqit që Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegje) të ketë statusin e një entiteti!?
* * *
Më kot Serbia e vë në dyshim shtetësinë e Kosovës. Në Kosovë mbizotëron rendi dhe rregulli si në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor. Për nga rendi dhe shkalla e demokracisë, ajo krahasohet me vendet e BE-së dhe pikërisht kjo i pengon Serbisë.
Trazirat e paradokohshme në veri nuk i shkaktoi qeveria e Kosovës. I shkaktoi Beogradi. U vunë në veprim kriminelët, bandat terroriste dhe hordhitë serbe të mbështetura nga Beogradi dhe Moska. I sulmuan forcat KFOR-it dhe plagosën 90 pjesëtarë të tyre. Plagosën pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe gazetarë, dogjën vetura të policisë por edhe të gazetarëve. Për habi, Përendemi reagoi butë, për të mos thënë – heshti.
Nuk ka dialog të suksesshëm derisa Serbia vazhdon të jetë e përkëdhelura e BE-së dhe e ShBA-së. Serbia ekziston vetëm në saje të investimeve perëndimore. Po të mos jenë ato investime, ajo do të ballafaqohej me krizë të thellë ekonomike. Do të kishte papunësi, varfëri, skamje, probleme ekonomike, sociale dhe morale. Do të ballafaqohej me të gjitha të këqijat që vijnë pas tyre. Megjithëkëtë, Serbia nuk i është mirënjohëse Perëndimit. Mendtë i ka në Rusi dhe në Kinë. Vetëm në ndërmarrjet gjermane në Serbi, janë punësuar 80.000 vetë.
* * *
Serbia është e keqja dhe shëmtia e Ballkanit. Është tragjedi e rajonit por edhe e vetvetes. Është turpi i Evropës. Ajo s’e ka vendin në Këshillin e Evropës. Derisa të mos i japë fund ideologjisë cardushaniste, asaj duhet t’i ndalohet anëtarësimi në BE. Ajo s’e ka vendin as në OKB.
Për habi, Perëndimi i cakton masa ndëshkuese Kosovës demokratike e cila, me mjete të shtetit ligjor, synon të vendosë rend në tërë territorin e vet dhe të mbrojë tërësinë tokësore apo integritetin territorial.
* * *
Nuk ka shqiptarë në botë, përpos ndonjë esat pashë toptani që do të pranonte apo që do të nënshkruante themelimin në Kosovë të një republike serbe apo të një shteti brenda shtetit.
Të supozojmë se një ditë në Kosovë vjen një qeveri tjetër. Ata që ne i quajmë aleatë tanë, do t’i kërkonin kryeministrit të ri ta nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe shtojcën e Ohrit – sipas rendit që e kërkojnë Vuçiqi dhe ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak. Të mos harrojmë: Beogradi kërkon asociacion me ingjerenca apo me kompetenca ekzekutive.
Si do ta parandalonte një qeveri e ardhshme shndërrimin e këtij farë asociacioni në republikë serbe apo në shtet brenda shtetit?! Ç’do të bënin dhe ç’do të thoshin atëherë, këta që sot e fajësojnë kryeministrin e përtashëm, Albin Kurtin?!
Kosova nuk është çështje partiake, nuk është çështje e Lëvizjes Vetëvendosje, e PDK-së, e LDK-së, e AAK-së, e Nismës … Kosova nuk është çështje e analistëve mercenarë, e mediumeve të shitura dhe të blera. Është çështje e popullit të saj. Kemi menduar se s’ka më shqiptarë të ndershëm. Por, po del se aty-këtu edhe sot gjendet ndonjë sish. Në vitet ’80 të shekullit XX, shtypi i Beogradit, të ndershëm i quante ata shqiptarë të cilët shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë.
Fatin e Kosovës nuk do ta përcaktojnë pseudoanalistët, as mediumet e kontrolluara prej qendrave antikombëtare. Fati i Kosovës martire nuk do të mbetet në duart e politikanëve që nuk e kanë besimin e qytetarëve të saj. Kosova nuk mbrohet me arrogancë, me mendjemadhësi, me megalomani, me prepotencë. Kosova mbrohet, ndërtohet dhe zhvillohet me veprim racional. Kur është fjala për tërësinë tokësore, për sovranitetin dhe për ndërtimin e shtetësisë së saj, faktori politik i Kosovës duhet të jetë i bashkuar. Sulmet e politikanëve ndaj njëri-tjetrit, pranë një Serbie iracionale, është një luks i palejueshëm.
* * *
ShBA-ja duhet sa më parë ta pranojë Kosovën në NATO, në Këshillin e Evropës dhe në BE. Të ushtrojë autoritetin e saj për liberalizimin e vizave. Të investojë në ekonominë e saj. T’u kërkojë vendeve të BE-së që t’i pezullojnë investimet në Serbi dhe t’i orientojnë ato në Kosovë. Kështu dhe vetëm kështu arrihet marrëveshje me Beogradin. Ndryshe, çfarëdo dialogu me serbomëdhenjtë, nuk është veçse punë Sizifi.
S’ka Kosovë pa Amerikën!
* * *
Shqiptarët në Ballkan nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të posaçme, ngase ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.
Xhelal Zejneli