Rrahmani: Krenohemi me Xhakën e Shaqirin, por ne kemi nevojë për pikë

Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë këtë muaj dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

“Dardanët” do të jenë nikoqirë të Zvicrës më 9 shtator, kurse pas tre ditësh do të luajnë në udhëtim ndaj Rumanisë.

Në prag të ndeshjes ndaj “Helvetikëve”, në konferencë për media u paraqit sot kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.
“Normalisht se është një ndeshje e rëndësishme. Jemi të motivuar sepse e kemi përball kundërshtarin më të fortë në grup. Ndoshta nuk është momenti i mirë sepse kemi nevojë për pikë, por duhet të jemi të përgatitur për nesër”, tha fillimisht ai.

Tutje, Rrahmani foli për futbollistët që po zgjedhin të përfaqësojnë vendet tjera para Kosovën.

“Ka pasë shumë raste që lojtarët kanë zgjedh kombëtare të ndryshme. Unë i sugjeroj që më zgjedh me lujt për vendin tënd është më e rëndësishme. Për vendin në të cilin ke lind ose je rrit, në vendin e familjes tënde”, tha kapiteni i “Dardanëvë”.

Anëtari i Napolit tutje u pyet nëse ka pasë kontakt me ndonjë futbollistë shqiptarë, që është pjesë e Zvicrës.

“Me Granitin njihëm pak më mirë, por nuk kam pasë kontakt me asnjërin para ndeshjes”, tha Rrahmani, duke shtuar se krenohet me dyshen e famshme shqiptare të Zvicrës, Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin. “Të dy janë shqiptarë dhe krenohemi me ta. Jemi krenuar kur kanë shënuar ndaj Serbisë dhe krenohemi për të gjithë sukseset e tyre”.

“Zvicra është kombëtare shumë e fortë. Gjithmonë merr pjesë në Botëror dhe Evropian. Ka shumë lojtarë shqiptarë që e përfaqsojnë Zvicrën, besoj se do të ketë edhe në të ardhmen sepse ka shumë shqiptarë në Zvicër. Këtë e shoh si normale”, deklaroi Rrahmani.

Ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”