“Reformat kuislinge” të Shaqir Fetahut, po e dëmtojnë rëndë imazhin e SHMI “Medreseja Isa Beu” Shkup

Shkruan Jusuf Zimeri

Omer ibnul Hatabi r.a. i cili përveç se ishte një sahabij i madh dhe i përgëzuar me Xhenet që nga kjo botë, ai ishte edhe një vizionar i madh i shtetit dhe pushtetit islam, thotë:
“Nuk është i mençur ai që e njeh të mirën nga e keqja, por, i mençur është ai i cili e di më të mirën nga dy të mirat, dhe më të keqën, nga dy të këqijat”

SHMI “Medreseja e Isa Beut”, është shkollë e vetme e rangut të mesëm e cila është nën mbikëqyrjen e Rijasetit të BFI-së në RMV, e cila në vazhdimësi ka shënuar rezultate të mëdha, në të gjitha fushat dhe poret e jetës. Ajo është rezultati dhe krenaria e popullatës islame në vend, krenari kjo e cila për interesa mediokre të disa individëve të pandërgjegjshëm por keqpërdoret dhunshëm nga udhëheqësit institucional, më konkret nga Reisul Ulema i BFI-së Shaqir Fetahi dhe nga u.d. Drejtori i ri i saj, Dr. Islam Islami.
Këta kanë vendosur të bëjnë reforma edhe në sistemin e arsimit, s’ka rëndësi cilat janë ato reforma, a përputhen me sistemin edukativo arsimor islam, me etikën dhe normat islame apo me pedagogjinë islame që na e mësoi pedagogu i njerëzisë Muhamedi a.s. me rëndësi është që reformat të kënaqin oreksin e disa individëve, që ata të ndihen të fortë e të fuqishëm.

Si duket, këta dy persona, ose kanë harruar ose nuk e dinë, se procesi edukativo arsimor nuk është thjeshtë proces i performancës profesionale, por ai më tepër është proces i vendosjes së parimeve bazike në ndërtimin e një qenie njerëzore në veçanti dhe shoqërore në përgjithësi.

u.d. Drejtori i ri, i emëruar nga Reisi i vjetër, kanë vendosur të bëjnë ndryshime edhe në Medrese, sepse si duket për këta ndryshimi nuk është nga e mira në më të mirën, thjesht vetëm ndryshim i kapelës mbi të njëjtën kokë. Ndryshimet detyrimisht duhet të ndodhin, po çka, edhe nëse janë në kundërshtim me normat e shenjta islame. S’ka rëndësi kush humbë, me rëndësi është ne të përfitojmë.! Këta zotërinj, fillimisht kanë vendosur t’i rehatojnë të afërmit e tyre, aspak s’ka rëndësi se kjo bëhet në kurriz të të tjerëve!

u.d. drejtori i ri, me bekimin e Reisul ulemas ka vendosur që këtë vit të bëjë edhe përzierjen e profesorëve, meshkuj dhe femra, pra të bëjnë këmbimin e kuadrit, në mënyrë që disa nga profesorët meshkuj nga Medreseja e djemve në Kondovë, gjysmën e orëve të mbajnë në paralelen e vajzave në Shkup, e gjysmën tjetër në Kondovë, kurse disa nga profesoreshat e paraleles së vajzave në Shkup, gjysmën e orëve t’i zhvillojnë në paralelen e vajzave në Shkup dhe gjysmën tjetër në paralelen e djemve në Kondovë.
Këta njerëz, jo që nuk mërzitën se kanë shkelur rëndë dispozitat islame, as që çajnë kokën për këtë çështje, ata gjithashtu kanë shkelur rëndë edhe normat pedagogjike islame, por kanë nëpërkëmbur edhe dinjitetin e profesoreshave duke i detyruar dhunshëm dhe pa dëshirën e tyre të zbatojnë këtë urdhër që bie ndesh me urdhrin islam, sepse në të kundërtën, ka plotë profesoresha të tjera që presin rend të punësohen në vendin tuaj, shprehet u.d. drejtori Islam Islami.

Medreseja është institucion edukativo arsimor islam për të cilin vendimet përfundimtare i merr Rijaseti i BFI-së, e jo Reisi e as drejtori e lëre më u.d. drejtori, prandaj po pyes, ku janë ata Muftitë Famos me të cilët krekoset Shaqir Fetahu? A janë të vetëdijshëm këta se, sipas normave islame, profesoreshës i ndalohet (haram) të mbajë ligjërata para nxënësve meshkuj të cilët janë të moshës madhore (pubertet), pa pasur domosdoshmëri të justifikuar sipas rregullave të jurisprudencës islame, si p.sh. mungesa e profesorëve! Jo, kjo domosdoshmëri nuk ekziston, sepse sot BFI ka kuadro sa të duash nga dy gjinitë, edhe profesorë edhe profesoresha. Pra, kjo përzierje nuk qenka domosdoshmëri, madje as nevojë e thjeshtë, por vetëm qejf i dikujt.

Nëse kjo çështje na qenka kaq revolucionare, sipas u.d. drejtorit, dhe me kaq dobi të madhe në interes të profesoreshave, atëherë shtrohet pyetja, pse u.d. drejtori këtë përparësi nuk ia dhuroi bashkëshortes së vet, të cilën e ka punësuar si profesoreshë në paralelen e vajzave në Shkup, por profesoreshën e cila ishte punësuar në Medrese për vite të tëra, dhunshëm ia imponon të mbajë mësim te djemtë, e në vend të saj punësoi bashkëshorten e tij tek vajzat?!

Zotërinj të nderuar, ju që sillni vendime të cilat jo që nuk harmonizohen me dispozitën islame, por kundërshtohen, a jeni të vetëdijshëm se, “nuk ka nënshtrim ndaj krijesës në dëm të nënshtrimit ndaj Krijuesit”.
Andaj, apelojmë që për të mirën tuaj dhe të gjithë myslimanëve, tërhiqni vendimet tuaja, dhe leni rehat profesoreshat të zhvillojnë mësim me vajzat, sepse ato janë më të suksesshme me to, dhe leni rehat profesorët me djemtë, sepse edhe këta janë më të suksesshëm me ta, e mos çrregulloni ekuilibrat e normave islame, sepse kjo është në dëm të nxënësve dhe nxënëseve, në dëm të islamit dhe popullatës islame, e cila me shumë sakrifica e ka ndërtuar dhe po e ruan këtë vatër edukativo arsimore islame në vendin tonë.

Mos e harroni edhe porosinë e Pejgamberit a.s. kur thotë: “ Fitneja është në gjumë, Allahu e mallkon atë që e zgjon nga gjumi”.
Mendoj se për këtë çështje do të reflektojnë edhe kolegët hoxhallarë, sepse pas kësaj një ditë do t’i shkojë mendja Shaqir Fetahut lë lëshojë dekrete edhe për hatibe në namazin e Xhumasë. Pse jo, edhe kjo është REFORMË!!