Osmani vendosi lule në varrin e Nënë Terezës: Shenjtëria e shtëpisë së Nënë Terezës flet për humanitetin dhe madhështinë e saj
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Indi, ka vizituar sot vendprehjen e përjetshme të Nënë Terezës dhe ka vendosur lule mbi varrin e saj informon Tetovasot.
Osmani në Kalkutë, ku Nënë Tereza kaloi 69 vjet të jetës së saj, vizitoi shtëpinë e saj të njohur si Shtëpia e Nënës dhe Kisha e Nënë Terezës.
Edhe pse pjesën më të madhe të jetës e kalon në Indi, Nënë Tereza nuk resht së përmenduri vendlindjen e saj Shkupin dhe të jetë një lidhje e pathyeshme mes vendeve tona – e bashkuar në fisnikërinë e veprave të saj dhe shenjtërinë e karakterit të saj, theksoi Osmani.
“Duke qenë dëshmitare se si dukej jeta e saj, modestia e një njeriu kaq të madh nuk lë askënd indiferent dhe pa ndjenjën e përgjegjësisë ndaj trashëgimisë dhe misionit të saj – të ndihmojë më të pambrojturit dhe të ushqejë më të varfërit, por jo vetëm me bukë, siç ajo ka ditur të thotë, por edhe me dashuri e respekt”, ka thënë Osmani.
Vizita e Osmanit vjen vetëm disa ditë para përkujtimit të 26 vjetorit nga vdekja e saj më 5 shtator dhe shtatë vjet nga shpallja e shenjtë e saj në Kishën Katolike.
“Është evidente nga jeta e saj se Nënë Tereza i përmbahej fleksibilitetit dhe përshtatshmërisë ekstreme në raport me kulturat dhe grupet e ndryshme etnike, karakteristika që jam i sigurt se ishin rrënjosur thellë tek ajo dhe në mënyrën se si ajo u rrit që në moshë të re nga familja e saj nga Shkupi. Ky koncept ka tejkaluar dhe vazhdon të kapërcejë barrierat e fesë dhe etnisë dhe thekson idetë e tolerancës dhe harmonisë në raport me të gjitha diversitetet”, tha Osmani.
Osmani vuri në dukje se është i mahnitur me mënyrën se si Motrat e Bamirësisë e respektojnë dhe e kryejnë vazhdimisht misionin e Nënë Terezës për t’u kujdesur për më pak të privilegjuarit, të sëmurët dhe të vuajturit, jo vetëm këtu në Bengalin Perëndimor, por në mbarë botën nga ndjekësit e saj, misionarët e bamirësisë.
Ministri Osmani, i cili është adhurues i madh i veprës së Nënë Terezës, nga vendprehja e saj e përjetshme përsëriti edhe një herë se si pasardhës të saj kemi përgjegjësinë për të vazhduar zotimin e Shën Terezës. Këtë mund ta bëjmë më së miri duke theksuar rëndësinë e dinjitetit njerëzor dhe respektit, mirëkuptimit dhe tolerancës më të madhe reciproke, tha Osmani.
Në Indi, Osmani pati takime me kreun e shtetit, nënkryetarin e Indisë, Jagdeep Dhankar, ministrin e Punëve të Jashtme Subramanyam Jaishankar, Ministrin e Tregtisë dhe Tekstileve Goyal. Osmani në Indi do të ketë takime edhe me përfaqësues nga Bengali Perëndimor.Tetovasot