Me çka mund të përballet Kosova nëse Kurti nuk lëshon pe?

Bllokim të dialogut, presione shtesë dhe sanksione të mundshme për Kosovën parashohin njohësit e rrethanave politike, nëse kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk u bindet kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është ndër hapat e parë që i kërkohet të bëjë edhe nga diplomatët amerikanë, edhe nga ata të Bashkimit Evropian.

Kurti thotë se është i gatshëm të diskutojë për këtë asociacion, por këmbëngul që, fillimisht, duhet të zyrtarizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Ai i ka acaruar raportet me zyrtarë të BE-së, duke i fajësuar ata për njëanshmëri në procesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, që e ndërmjetëson procesin e bisedimeve, ka përsëritur këtë javë se Kosova duhet ta formojë Asociacionin “pa parakushte dhe pa vonesa”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i Asociacionit duhet të jetë ndër hapat e parë të Qeverisë së Kosovës – në të kundërtën, “do të ketë pasoja”.