“Loja” rreth ndryshimeve kushtetuese është shumë më e madhe sesa inati i Mickoskit, bllokimi është në favor të Rusisë

Bllokimi i ndryshimeve kushtetuese, e me këtë edhe ndalimi i procesit të integrimit evropian të shtetit nga ana e opozitës VMRO-DPMNE, shkon në të mirë të forcave proruse në rajon, sipas analistëve politikë në deklaratat e tyre të dhëna për Frontline.

– Absolutisht bllokimi është në favor të Rusisë, prandaj ata janë të parët në ndihmën e forcave tona proruse që pengojnë anëtarësimin tonë në BE. Edhe në incidentin e fundit në Kosovë, i cili ende po vazhdon, mendoj se Rusia është thellësisht e përfshirë. Putini duhet të destabilizojë rajonin tonë në mënyrë që të largojë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga lufta që ai po bën në Ukrainë, thotë për Frontline analisti politik Aco Kabranov, përcjell PRESSonline.al

Politologu Bllagojçe Atanasoski konsideron se “loja” rreth mosvotimit të ndryshimeve kushtetuese është shumë më e madhe se kokëfortësia e opozitës për të mos i votuar ato, në kalkulim me rejtingun partiak.

– Besoj se pengimi i vazhdimit të integrimeve evropiane të Maqedonisë është në të vërtetë një luftë ndërmjet interesave amerikane (për të vazhduar integrimet evropiane të Maqedonisë) dhe interesave ruse (për t’i bllokuar ato), si një pamje më e gjerë e plotësimit të vakumit gjeopolitik që është krijuar në zonën e Ballkanit Perëndimor, në të gjitha vendet e mbetura, përfshirë edhe Maqedoninë, thotë Atanasoski për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ndër të tjera tha se garancia më e mirë për ruajtjen e identitetit maqedonas është që pas anëtarësimit në NATO, vendi të bëhet anëtare e BE-së. Megjithatë, ai vë në dukje se Maqedonia e Veriut është vendi më i malltretuar në procesin e zgjerimit të BE-së.

– Fatkeqësisht, shpesh kemi qenë të zhgënjyer, dhe dinamika në politikën bullgare është aq e pasigurt sa nuk dihet se çfarë do të sjellë e nesërmja. Jam shumë i sigurt se Bullgaria do të vazhdojë të formulojë kërkesa të reja. Por, për mua e rëndësishme është ajo që është në axhendën e BE-së, asgjë tjetër. Arritëm një kompromis me Bullgarinë, një plan veprimi për pakicat. Ne duam ta zhvendosim temën nga interpretimet historike dhe çështjet e identitetit te të drejtat e njeriut dhe të pakicave, sepse në këtë jemi të mirë. E them si një person që nuk vjen nga grupi etnik më i madh në vend. Maqedonia e Veriut ka ndërtuar një model unik të një demokracie funksionale multietnike, në kundërshtim me të gjithë skeptikët që besonin se kjo nuk ishte e mundur në Ballkan, thotë Osmani, përcjell PRESSonline.al

Shefi i diplomacisë vlerëson se janë keqinterpretuar anketat që tregojnë se shumica e qytetarëve janë kundër ndryshimeve kushtetuese.

Qytetarët refuzojnë futjen e konflikteve identitare-politike në procesin e zgjerimit të BE-së, por nuk ka rrezik të tillë nga ndryshimet e ardhshme kushtetuese, përkundrazi, thekson Osmani dhe shton se ato “do ta forcojnë dhe zgjerojnë demokracinë multietnike”.