Kush është Milan Radoiçiqi?

Autoritetet e Kosovës e përmendin si person në arrati, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të akuzuar disa herë si kriminel.

Në Serbi ai është konsideruar “mbrojtës” i serbëve të Kosovës, madje edhe nga presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq.

Milan Radioiçiq është nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më 26 shtator, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video, ku pretendon se një burrë i veshur me uniformë dhe armë në duar, sikurse një grup burrash tjerë, është Radoiçiqi, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

Si pasojë e sulmeve është vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Si është bërë i njohur emri i tij?
Radoiçiqi, 45-vjeçar, ka lindur në Gjakovë, qytet në jugperëndim të Kosovës.

Për organet e drejtësisë në Serbi, emri i tij është i njohur prej vitit 2011.

Në atë kohë, kundër tij dhe Zvonko Vesellinoviqit është ngritur aktakuzë në Beograd për përvetësimin e 32 kamionëve të firmës “Hipo Alpe Adria Lizing”.

Në atë periudhë ka nisur dialogu Kosovë – Serbi dhe të dy janë liruar nga akuzat në vitin 2016.

Radoiçiqi besohet se vazhdon punën në Serbi. Ai është bashkëpronar i kompanisë ndërtimore, INKOP nga Quprija – bashkë me vëllezërit Vesellinoviq – në të cilën ka 40 për qind të pronësisë.

INKOP-i ka blerë edhe kompanitë ndërtimore Novi Pazar – put dhe Betonjerka Aleksinac.

INKOP-i zotëron, po ashtu, kompaninë hoteliere DollyBell, e cila ka hotelin Grey në Kopaonik.

Veprimtaria e tij në Kosovë
Më 2017 ka qenë kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, që e ka përmendur emrin e Radoiçiqit si njeri të fuqishëm në komunat në veri të banuara me shumicë serbe.

Haradinaj ka thënë se “[ai është] dikush nga veriu, i cili pyetet për gjithçka dhe unë bisedoj me të”.

Radioiçiqi është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, më 2018.

Emri i tij lidhet edhe me këtë vrasje, por epilog për këtë rast nuk ka ende.

Vetë ai e ka përshkruar akuzën e autoriteteve të Kosovës ndaj tij si tentim të Prishtinës për ta hequr qafe.

“… sepse e di se unë, së bashku me miqtë e mi dhe vëllezërit e mi, jemi ndër të paktët që mund t’i kundërshtojmë në synimin e tyre për të nëpërkëmbur dhe përvetësuar veriun e Kosovës dhe Metohisë dhe për të nënshtruar popullin serb”, ka thënë Radoiçiqi në atë kohë.

Urdhri për arrestimin e Radoiçiqit është tërhequr pa asnjë shpjegim në mars të vitit 2021 – mirëpo më vonë është kthyer prapë.

Takimet me autoritetet e Kosovës
Emri i tij ka çuar në dhunë mes deputetësh në Kuvendin e Kosovës në korrik të këtij viti.

Në njërën prej seancave parlamentare, kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, është kritikuar ashpër për një audio-inicizim, në të cilin ajo e ka pranuar se ka biseduar me Radoiçiqin.

Por, kjo nuk ka qenë hera e parë që zyrtarë të Kosovës kanë biseduar dhe e kanë takuar atë.

Më 2017, Radoiçiqi besohet se është takuar edhe me Behxhet Pacollin, kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR). Mediat në Kosovë dhe Serbi e patën publikuar një fotografi ku Pacolli shihej në shoqërim të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe të Radoiçiqit. Takimi kishte ndodhur në një jaht luksoz në Mal të Zi.

Më 2018, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, e ka pritur atë në zyrën e kryeministrit.

Por, në mars të vitit 2019, Haradinaj ka deklaruar se nuk ka qenë në kontakt me Radoiçiqin nga koha kur ai është arratisur nga autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Ai, atëbotë, u ka thënë gazetarëve se bashkë me Radoiçiqin, njëherë, e kanë vizituar presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Dua të kujtoj se, bashkë me presidentin Thaçi, në zyrën e tij, jam takuar me Radoiçiqin”, ka thënë Haradinaj.

Në maj të vitit 2019, Haradinaj, duke folur për Televizionin T7 në Kosovë, i ka hedhur poshtë akuzat e Thaçit për takime sekrete me Radoiçiqin dhe ka pretenduar se ai është takuar me të vetëm si zyrtar i Listës Serbe.

Edhe vetë Radoiçiq ka folur për kontaktet e tij me zyrtarët kosovarë. Në mars të vitit 2019, ai i ka thënë Televizionit “Klan Kosova” në Prishtinë se është takuar me Thaçin dhe Haradinajn.

“Jam takuar me të dy dhe jam takuar edhe me të tjerë. Ata u kanë premtuar serbëve kulla dhe qytete, që ata të jenë në anën e tyre dhe jo në anën tjetër. Por, ne nuk mund të shkelim interesat jetike serbe”, ka thënë Radoiçiq./REL