Elshani: Nuk kishim qëllim me i vra 30 vetë, por ta lironim vendin prej grupeve të organizuara kriminale
Elshani: Nuk kishim qëllim me i vra 30 vetë, por ta lironim vendin prej grupeve të organizuara kriminale
Zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, ka folur sot nga Banjska e Zveçanit, shkruan Express. Ai tha se hetimet nuk do të përfundojnë edhe për një kohë të gjatë, mirëpo shtoi se bastisjet nëpër zonën e banimit kanë përfunduar.
“Hetimet nuk kanë me përfundu edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesant me e ditë se pse u zgjedh ky vend në këtë formë dhe çka ka qenë qëllimi i këtyre njëerëzve të armatosur. Banjska është një fshat i qetë, i mirë, njerëzit janë të qetë. Bastisjet, kontrolli, në zonën e banimit ka përfunduar, kemi bërë një kontroll goxha të mirë edhe rreth malit”, tha ai.
“Kemi komunikim shumë të mirë me KFOR’in. Kemi marrë mësim shumë nga kjo.”
Elshani tha se qëllimi i Policisë ka qenë që ta lirojnë Banjskën nga grupet e organizuara kriminale dhe jo t’i vrasin 30 njerëz.
“Nuk kemi pasur qëllim me i vra 30 vetë në asnjë moment, nuk kemi pasë qëllim me vra asnjë. Qëllimi jonë është me marrë territorin tonë, me e liru këtë vend prej grupeve të organizuara kriminale. Nëse ka pasë viktima e të lënduar, kanë qenë pjesë të procesit. Nuk ka pasur dëme kolaterale”, tha ai.
Elshani tha se “banorët kanë qenë shumë të mirë” dhe se kanë pasur bashkëpunim të mirë me ta.
Ai deklaroi se armatim ka pasur “gjithkah”.
“Armatim ka pasur gjithkah, jo në shtëpitë private, por jashtë. Nuk po dua të lëshohem në deklarata. Kemi hyrë nëpër shtëpi për të parë nëse ka pasur gjuajtje, më së shumti gjuajtje ka pasur rreth shtëpive. Ka pasur gjithkah.”
Elshani u pyet nëse kanë gjetur prova për praninë e Milan Radojiçiq në manastir, po tha se nuk mund të “thotë asgjë”. /