Demokraqia në veprim!
Shkruan Nedai Saoli
(Qyfyre bulevardi)
Sot në sistemin e ‘demokraqisë liberale’ në mbarë haspësirën shqiptare hajduti dhe kusari vlerësohet si burrë trim me integritet dhe i zoti, ndërsa i sinqerti dhe i ndershmi, punëtori apo intelektuali i papunë si të paaftë dhe budallenj që nuk arrijnë t’i kapin frekuencat e dinamikës së jetës në sistemin e demokraqisë.
Demokraqia që thoni ju more shokë po na i paraqet hajdutët dhe trafikantët, dilerët dhe muzikantët e tallavasë dhe jo vetëm, si vlera të shoqërisë moderne që duhet ndjekur si ‘trendi’ ritmi i tyre i rrugës së kusarisë.
Antivlerat paraqiten si vlera përmes ‘aristëve pa akademi’ me diploma të blera dhe të shitura, muzikantët e rrugës dhe arixhinjtë e lagjeve të varfëra paraqiten si arti i rrugës, ndërsa SHKA-të dhe qendrat kulturore si shoqëri të demoduara të një sistemi të perënduar.
Ja more shokë ku na katandisi demokraqia, ku për vlera na shet si vlera emisionet e degjerimit të rinisë si ‘Big Brother’ dhe ‘Përputhen’ përmes së cilave u japin shembull rinisë sesi duhet ta praktikojnë kurvërinë si sport dhe zbavitje të përditshmërisë, pasi në monizëm nuk guxonim dhe tani meqë jemi në demokraqi mund të bëjmë ç’të duam!
Kjo është logjika e demokraqisë sot për edukimin dhe përgatitjen e brezit të ri për të çarë përpara në jetë, duke i ofruar blerjen e diplomave apo rrugën e kusarisë dhe trafikantit trim, mbështetjen e kodoshëve të kurvërisë në klubet e qendrave të masazhit, ku shumë pleq kanë shkuar për për lesh në ato motele, për shkak të ‘anestezisë’ që kanë marrë për t’u treguar gjasme ‘potencën e demit’ në shtrat me çupat e reja.
Për demokraqinë e sotme edukimi dhe arsimimi nëpër Universitete duke mësuar janë kohë e humbur, pasi ato mund të blihen pa vajtur asnjë ditë në to ndaj, përveshuni biznesit të pandershëm dhe rrugës së trafikimit nëse doni të bëheni dikushi!
Ata oligarkët dhe pushtetarët, trafikantët dhe bosët e mafies, nuk ua thonë hapur studentëve shqiptarë këtë ‘rrugë të shpejt të suksesit’ në jetë, por ajo nënkuptohet!
Ja more shokë cilat qënkëshin vlerat që na ofron demokraqia sot, një ekonomi të lirë tregu dhe trafikimi, ku më i zoti dhe më i forti e ‘ha’ më të dobëtin sepse nuk është i zoti dhe jo i aftë të përballet me uraganin oligarkëve hajdutë dhe trafikantë, ashtu siç paraqitet në zinxhirin ushqimor, ku më i forti e ha më të voglin dhe më të dobëtin.
Një të diel të mbarë