Champions League “çakordon” Superioren, FSHF ndryshon orarin e sfidës Teuta-Skënderbeu

Fillimi i ndeshjeve të fazës së grupeve të UEFA Champions League ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në Kategorinë Superiore, pavarësisht se asnjë prej ekipeve tona nuk garon në kompeticionin më prestigjioz të klubeve në botë.

Për rrjedhojë kalendari i ndeshjeve të kësaj jave në Kategorinë Superiore ka pësuar disa modifikime. FSHF, për të mos pasur përplasje me ndeshjet e të martës në Ligën e Kampioneve, ka ndryshuar oraret e planifikuara fillimisht për sfidat Laçi-Vllaznia dhe Teuta-Skënderbeu.

Sfida e parë ishte planifikuar në orën 16:00 ndërsa e dyta në orën 19:00 sipas kalendarit fillestar. Por për të shmangur përplasjet me ndeshjet e turneut ndërkombëtar për klube, FSHF ka bërë modifikimin e nevojshëm, duke i kaluar të dy këto ndeshje në orën 15:00.

Ndërkaq, përsa u përket ndeshjeve të ditëve të tjera, ato nuk kanë pësuar ndryshime me sfidën Erzeni-Dinamo që luhet të dielën, ndërsa duelet Kukësi-Tirana dhe Partizani-Egnatia të cilat zhvillohen të hënën.

Kalendari i javës së 4-t

Të dielën, 17.09.2023

Erzeni-Dinamo ora 16:00

Të hënën, 18.09.2023

Kukësi-Tirana ora 16:00

Partizani-Egnatia ora 18:30

Të martën, 19.09.2023

Laçi-Vllaznia ora 15:00

Teuta-Skënderbeu ora 15:00 /i.m /abcnews.al