Bytyqi dhe Osmani nënshkruan një Memorandum dhe Marrëveshje me Fondin e Gjelbër Klimatik në Nju Jork
Bytyqi dhe Osmani nënshkruan një Memorandum dhe Marrëveshje me Fondin e Gjelbër Klimatik në Nju Jork: Maqedonia e Veriut po forcon kapacitetet e saj për përshtatje, zbutje dhe kundërshtim ndaj ndryshimeve klimatike
Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi dhe ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, të shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, në selinë e Misioni i përhershëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Nju Jork, me drejtoreshën ekzekutive të Fondit të Gjelbër Klimatik, Mafalda Duarte, nënshkruan “Memorandum e Mirëkuptimit” dhe “Marrëveshjen për Privilegje dhe Imunitete” që do të mundësojë Programin Rajonal Dialogu për vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut nga 18 deri më 22 mars 2024, nën patronatin e Fondit të Gjelbër Klimatik.
Me nënshkrimin e këtyre dy dokumenteve, forcohen themelet për zgjerimin dhe thellimin efikas të bashkëpunimit të Maqedonisë së Veriut me Fondin e Gjelbër Klimatik, në drejtim të forcimit të kapaciteteve për përshtatje, zbutje dhe kundërshtim ndaj ndryshimeve klimatike.
Pas Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të OKB-së të këtij viti dhe Samitit për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe takimit të parashikuar të Fondit të Gjelbër Klimatik në Gjermani, mbi angazhimet financiare nga vendet e zhvilluara, pikëpamja strategjike e liderëve botërorë për zhvillimin ekonomik do të jetë fokusi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe veprimet klimatike. Në këtë kontekst, mbështetja nga Fondi i Gjelbër Klimatik bëhet domethënëse në përpjekjet për ta afruar Maqedoninë e Veriut drejt arritjes së këtyre qëllimeve.
Pas nënshkrimit, zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministri Osmani kanë biseduar me Duarten për projektet që financohen edhe nga Fondi i Gjelbër Klimatik, për të cilat ofrohet mbështetje shtesë financiare për realizimin me sukses të tyre. Për shembull, themelimi i Fondit Nacional për Efikasitet Energjetik, ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza për qytetin e Shkupit, efikasiteti energjetik i ndërtesave, si dhe përpjekjet e përbashkëta për miratimin e aplikacionit të projektit për Planin Kombëtar të Përshtatjes. Këto janë pjesë e projekteve përmes të cilave fondi është i përfshirë drejtpërdrejt në financimin e përgjigjeve ndaj ndryshimeve klimatike dhe forcimin e kapaciteteve të Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri Bytyqi kujtoi se në kuadër të Projektit të Përgatitjes, ka iniciuar procesi për akreditimin e Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, si organ kombëtar për qasje të drejtpërdrejtë në mjetet nga Fondi i Gjelbër Klimatik.
“Në kuadër të këtij projekti do të fillojë faza tjetër në procesin e akreditimit të FIZHT, përmes të cilit pritet përfshirja më e madhe e sektorit privat. Është planifikuar përmirësimi i sistemit të e-qeverisë, përmes të cilit Qeveria do të ketë të dhëna reale për statusin e zbatimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Marrëveshjes së Parisit, kapitujve dhe klasterëve të BE-së”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi pas nënshkrimit të Memorandumit.
“Forcimi i kapaciteteve për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike mbetet prioriteti kryesor i vendit tonë. Fatkeqësitë e fundit globale të motit, të cilat rezultuan me një numër të madh viktimash, na kujtuan sërish se duhet të angazhohemi seriozisht për mbrojtjen e përhershme të natyrës”, tha Osmani, duke theksuar se mbështetja e këtij fondi është jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin se politikat klimatike janë me rëndësi të madhe në agjendën e BE-së, kurse Maqedonia e Veriut, si vend kandidat, pritet t’i nënshtrohet reformave thelbësore, si në harmonizimin e legjislacionit ashtu edhe në marrjen e hapave konkretë për realizimin e politikave klimatike.
“Kemi kënaqësinë të nënshkruajmë Marrëveshjen për Privilegje dhe Imunitete me Maqedoninë e Veriut. Ky është një hap i rëndësishëm në partneritetin tonë afatgjatë që hap derën për bashkëpunim edhe më të ngushtë me një mbështetës të fortë të veprimit klimatik”, tha Duarte.
Zëvendëskryeministri Bytyqi, ministri Osmani, sekretari i përgjithshëm Dimovski dhe znj. Duarte, diskutuan për projekte të reja potenciale në fushën e sigurimeve bujqësore, ujitjes, reformës së tokës dhe rezistencës së infrastrukturës ndaj ndryshimeve klimatike.