Barcelona shpartallon Betisin, Cancelo e Felix debutojnë me gola

Barcelona e ka mundur me rezultat 5-0 Real Betisin për të shfaqur kështu një formë të lartë pas ndeshjeve të Kombëtareve. Joao Felix (25’), Lewandowski (32’), Torres (62’), Raphinha (66’) dhe Joao Cancelo (81’) ishin golat që u shënuan në këtë ndeshje nga Barcelona që e ngritin atë në vendin e parë në La Liga, së paku deri në ditën e nesërme

Barcelona ka treguar formë të lartë para ndeshjes kundër Royal Antwerp në Ligën e Kampionëve duke e mposhtur me rezultat 5-0 skuadrën e Real Betis.

Blaugrana hyri në këtë ndeshje më solide dhe kërkuan fitoren që në fillim të saj.

Megjithatë goli erdhi në minutën e 25-të. Oriol Romeo pasoi të Joao Felix. Portugezi arriti që të kalojë në kënd të vdekur dhe nga aty të shënojë një gol spektakular për rezultat 1-0. Ishte një gol që rrallë shihet në futboll, njëkohësisht ky ishte goli i parë i Felix që ai e shënon në debutim si titullar.

Goli i dytë do të vinte shtatë minuta më vonë.

Mbrojtësi danez, Andreas Christensen bëri një pasim të mirë për Lewandowskin i cili shënoi për rezultat 2-0.

Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat.

Në pjesën e dytë Barcelona do të shënonte edhe tre gola.

Joao Felix tregoi se është në formë të Barcelona dhe arriti që të shënonte edhe një gol tjetër në minutën e 58-të, por ai u anulua pasi që portugezi ishte në pozitë jashtë loje.

Megjithatë, goli i tretë për Barcelonën erdhi në minutën e 63-të. Ferran Torres ekzekutoi në mënyrë perfektë një goditje të lirë duke shënuar golin e tretë për kampionët në fuqi të Spanjës.

Tre minuta më vonë, Lewandowski bëri një pasim për Raphinhan. Braziliani arriti që të lirohet mirë dhe të shënoi po ashtu një gol të bukur për rezultat 4-0.

Deri në fund, Barcelona shënoi edhe një gol. Kësaj here ishte radha e një debutanti tjetër të Barcelonës që të shënonte. I huazuari nga Manchester City, mbrojtësi i krahut Joao Cancelo shënoi golin e pestë në minutën e 82-të. Portugezi u asistua nga Robert Lewandowski i cili në këtë ndeshje bëri dy asistime dhe një gol.

Barcelona ndeshjen e radhës pritet ta zhvillojë në Ligën e Kampionëve ku do të luan kundër Royal Antwerp, skuadër kjo ku luan sulmuesi kosovar që luan për Shqipërinë, Arbnor Muja.  Kurse në vikendin e ardhshëm në La Liga Barcelona do të luan përsëri në shtëpi ku pret skuadrën Celta Vigo. Në anën tjetër Real Betis do të këtë punë me Cadizin në shtëpi.