Barcelona fiton me rikthim të madh kundër Celta Vigos

Barcelona ka arritur ta shkrijë rezultatin nga 0-2 për të fituar 3-2 në ndeshjen kundër Celta Vigos. Lewandowski (81’ dhe 86’) dhe Cancelo (89’) shënuan golat për Barcelonën. Larsen (19’) dhe Douvikas (76’) shënuan golat për Celta Vigon

Një ndeshje spektakël me një rikthim të madh është luajtur sonte  në stadiumin Olimpik të Barcelonës, të cilët fituan me rezultat 3-2 në fund, duke e rikthyer rezultatin nga 0-2.

Skuadra e Xavit ka treguar me këtë ndeshje që janë një skuadër kampion dhe se këtë sezon ata është vështirë të munden.

Goli i parë në këtë ndeshje u shënua në minutën e 19-të te ndeshjes. Luca de la Torre bëri një pasim të mirë për Larsen, derisa ky i fundit shënoi për rezultat 0-1.

Celta pati edhe një rast tjetër të mirë në pjesën e parë, me De La Torren që bëri një goditje nga zona por që nuk ishte i saktë për ta goditur portën e ter Stegen.

Edhe në pjesën e dytë, Celta bëri një paraqitje të mirë. Derisa Barcelona kërkonte hapësira për ta depërtuar mbrojtjen e tyre, ata gjithmonë dilnin në kundërsulme dhe ishin afër për të shënuar.

Kështu në minutën 50, Bamba kërkoi penallti pas një kundërzbritje për Celtan, por gjyqtari nuk mendoi kështu.

Për herë të parë Barcelona rrezikoi Celtan në minutën e 64-të kur Ferran Torres pati një mundësi të artë për të shënuar por ai nuk ishte saktë duke e gjuajtur topin jashtë portës së Celtas.

Celta vazhdonte me kundërsulme dhe shënoi gol në minutën e 76-të. Anastasios Douvikas mori një top të mirë nga Aspas duke shënuar golin e dytë për mysafirët, gol që u duk se do ia jepte fitoren mysafirëve.

Por, Barcelona nuk u dorëzua dhe shënoi tre gola në një hapësirë kohore prej 8 minuta e gjysmë.

I huazuari nga Atletico Madrid bëri një pasim në zonë për Robert Lewandowskin. Polaku e shfrytëzoi atë mirë për ta shënuar golin e parë në minutën e 81-të.

Katër minuta më vonë, Barcelona do ta barazonte rezultatin.

Përsëri, mbrojtësi anësor i huazuar nga Manchester City, Joao Cancelo bëri një pasim të mirë për Lewandowskin që shënoi golin e barazimit për Barcelonën.

Pa ardhur minuta e 90 Barcelona do të shënonte përsëri.

Kësaj radhe ishte Gavi në qendër të vëmendjes ku ai bëri një superpasim për Joao Cancelon që shënoi për 3-2 në minutën e 89-të te ndeshjes.

Ndeshja ka mundur të përfundoi barazim po që se Oscar  Mingueza do të ishte i saktë në një mundësi që i erdhi atij për të shënuar në minutën e 4-të shtesë të ndeshjes.

Ky ndoshta do të jetë rikthimi më i madh i Barcelonës për këtë sezon derisa katalunasit morën tre pikë  dhe momentalisht janë në vendin e parë me 16 pikë, aq sa ka Girona në të dytin. Pozitat mund të ndryshojnë deri në lojën e nesërme të Real Madridit që e luan kundër Atleticos si mysafirë në derbin e qytetit te Kryeqytetit të Spanjës.

Ndeshja e radhës e Barcelonës pritet që të jetë ajo kundër Mallorcas së Vedat Muriqit si mysafirë derisa Celta Vigo pritet që të luajë në shtëpi kundër Alavesit.