Ancelotti flet për favoritin e Ligës së Kampionëve, synimet e Realit, Modricin, Bellinghamin, Gulerin…

Nesër mbrëma do të nisë rrugëtimi i ri i Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

“Los Blancos” do të kenë punë me Union Berlinin, ndërsa trajneri Carlo Ancelotti ka folur gjatë dhe për shumë gjëra në konferencën e sotme për shtyp.

Trajneri italian mezi e pret fillimin e eksperiencës së re të “Mbretërve” nga Spanja, në sezonin e tij të fundit në “Santiago Bernabeu”, shkruan ”Gazeta Express”.
“Liga e Kampionëve është gjithmonë një garë speciale dhe duam ta nisim mirë. Nesër e kemi mundësinë të luajmë në shtëpi kundër një kundërshtari të organizuar mirë dhe të fortë. Na nevojitet intensitet. Unioni është një kundërshtar i ri, por nëse është këtu është për faktin se ka bërë mirë në edicionin e fundit. Luaj me mjaft intensitet, e kemi studiuar mirë. Nuk ka individualistë të shquar, por është një skuadër”, deklaroi “DonCarlo” në fillim të konferencës.

Lëndimi i Carvajal: “E kishte një tërheqje muskulore dhe nesër do t’i bëjë kontrollat. Kemi preferuar ta lëmë të pushojë, por lojtari është mirë dhe mendojmë se nuk është diçka e rëndë. Në vend të tij do të luajë Lucas Vazquez.”.

Objektivat: “Objektiv është që ta kalojmë fazën e grupeve dhe më pas të arrijmë në çerekfinale… dhe të luftojmë deri në fund. Mund ta themi pa presion të madh se duam të jemi në mesin e katër skuadrave, është një objektiv që mund ta arrijmë.”

Man City favorit: “E ka një ekip që ia ka mundësuar ta fitonte Championsin sezonin e kaluar dhe nuk ka ndryshuar shumë. Por, Champions League, në fazën finale, sjell gjithmonë befasi. Ne nuk kemi menduar kurrë që jemi favoritë, ashtu siç nuk do ta bëjë as City. Por, ata janë kampionë aktualë evropianë…”

Reali më i mirë se sezonin e kaluar? “Jemi përgatitur si në edicionin e kaluar. Lojtarët e rinj po kontribuojnë shumë, si Fran García apo Joselu. Dhe, sigurisht edhe Bellingham.”

Gjendja fizike e Arda Güler: “Është mirë dhe po e merr veten mirë. Është duke bërë punë individuale dhe të hënën do t’i bashkohet pjesës tjetër të grupit.”

Bisedimet me Modric: “Luka është mirë dhe flas me të, si me të gjithë lojtarët. Raporti personal është mjaft i mirë. Mund të ndodh që nuk luan si më parë, por raporti human do të jetë gjithmonë fantastik. Nesër do të jetë titullar.”

Kaos në Kombëtaren spanjolle të femrave: “Unë nuk jam i përfshirë, kam respekt maksimal për futbollistet. Nuk dua të shtoj asgjë tjetër.”