Më 24 shtator të vitit në vazhdim, në fshatin Banjskë që ndodhet në veri të Kosovës, Policia e Kosovës u përball me një grup serbësh të armatosur. Gjatë kësaj përballjeje, ra në mbrojtje të tërësisë tokësore të Kosovës dhe të sovranitetit të saj, efektivi i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, dëshmor dhe hero i kombit. I rënë në altarin e lirisë, ai vajti në përjetësi dhe në pavdekësi.
Bëhet fjalë me një grup terrorist të formuar dhe të mbështetur nga Beogradi. Ky grup i armatosur mbështetet politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht nga Beogradi, përkatësisht nga kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi. Grupi ka edhe mbështetjen logjistike të Beogradit. Aksioni i grupit të armatosur është agresion ndaj Kosovës, tërësisë tokësore dhe sovranitetit të saj. Është sulm barbar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe rendit demokratik të saj.
Aksioni i grupit të armatosur sfidon edhe forcat e KFOR-it që ka mandat të ruajë rendin dhe paqen në Kosovë, e sidomos në veri të saj.
* * *
Më 26 korrik 2011, në operacionin e Policisë së Kosovës kundër strukturave kriminale në veri të Kosovës, afër pikës kufitare në Bërnjak, në moshën 32-vjeçare, ra në altarin e lirisë efektivi i policisë, heroi i kombit Enver Zymberi. Ishte efektivi i 14-të i rënë në detyrën për atdheun. Këta nuk vdesin, gjallë i mban historia.
* * *
Aksioni dhe agresioni i grupit çetnik serb u mbështet fuqimisht edhe nga Rusia, nga Moska, nga Vladimir Putini si dhe nga Sergej Lavrovi. Shpeshherë, grupeve të armatosura serbe që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit, u bashkëngjiten edhe mercenarë rusë.
Aksioni dhe agresioni i grupit serb të armatosur rrezikon edhe paqen dhe qëndrueshmërinë e rajonit.
Për aksionin e grupit serb të armatosur, Vuçiqi thotë: “Janë rebeluar serbët e Kosovës kundër politikës së Albin Kurtit”.
Të gjithë duhet ta dinë se problem i Kosovës nuk është Albin Kurti. Problem i Kosovës dhe i rajonit është Beogradi, Serbia, Vuçiqi dhe ideologjia serbomadhe.
Qëllimi i grupit çetnik serb ka qenë krijimi në Kosovë i njëfarë ushtrie çlirimtare serbe. Kjo farë ushtrie do të shpallte gjendje të jashtëzakonshme apo gjendje lufte. Do të krijonte një “territor të çliruar”, në radhët e veta do të mobilizonte dhe do të rekrutonte dhunshëm edhe një numër të caktuar të qytetarëve serbë të veriut të Kosovës. Ndonëse të mobilizuar me dhunë, këta do t’i quante vullnetarë. Më vijim, në lumin Ibër do të vendoste njëfarë kufiri që do të duhej ta ndante Kosovën. Me policët serbë që e braktisën Policinë e Kosovës, do të krijonte në veri njëfarë policie serbe. Synimi përfundimtar i Beogradit dhe i Vuçiqit do të ishte krijimi në Kosovë i një entiteti serb apo i një republike serbe si ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky farë entiteti serb, kjo farë republike serbe apo ky farë parashteti do të shkëputej nga Kosova dhe do t’i bashkëngjitej Serbisë.
Me këtë farë skenari, Beogradi dhe Vuçiqi, të mbështetur fuqimisht edhe nga Putini, dëshirojnë të krijojnë në Kosovë një realitet të ri. Dëshirojnë ta vënë Uashingtonin, Berlini, Parisin dhe Londrën para një akti të kryer.
Vuçiqi duhet ta dijë se skenari i sipërthënë është i parealizueshëm për arsye se Kosova i posedon institucionet mbrojtëse – policinë dhe ushtrinë. Skenari i Serbisë për ta ndarë Kosovën me formacione ruso-çetnike, shpie në konflikt të armatosur. Si çdo konflikt i armatosur, edhe ky do ta kishte çmimin e vet – humbjen e jetëve të njerëzve. Kosova është shtet dhe si i tillë vepron me strukturat mbrojtëse të veta.
Politika e Beogradit apo e Vuçiqit ndaj Kosovës, nuk është veçse parapolitikë apo ekstrapolitikë.
Skenari i Beogradit, i Moskës dhe i Vuçiqit për të shkaktuar konflikt të armatosur në Kosovë është iluzion për arsye se aty ndodhen forcat e KFOR-it, me mandat për të ruajtur rendin dhe rregullin në tërë territorin e saj, e sidomos në veri të saj.
* * *
Serbët e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat: gjuha serbe është zyrtare në tërë territorin e saj; serbët kanë të drejtë ta përdorin flamurin kombëtar të tyre, që sot përdoret në kundërshti me ligjet e Kosovës; në Kuvendin e Republikës së Kosovës kanë të garantuar dhjetë mandate deputetësh; në qeverinë e Republikës së Kosovës mund të kenë një apo dy ministra; gëzojnë të drejtën e kultivimit të vlerave kulturore serbe; gëzojnë të drejtën e arsimimit në gjuhën serbe, që nga arsimi fillor deri në atë universitar (serbët në Kosovë ka kohë që kanë ndërtuar sistem paralel armimi që është në kundërshti me ligjet e Kosovës); e kanë sistemin e shëndetësisë; në komunat ku janë shumicë, kanë të drejtë për pushtet vendor; kanë administratë në gjuhën serbe (administrata vetëm në gjuhën serbe në veri, është në kundërshti me ligjet e Kosovës); kanë të drejtë të integrohen në shoqëri; kanë të drejtë të zhvillojnë veprimtari ekonomike, kulturore, sportive etj.
Atëherë, ç’kërkojnë përtej kësaj dhe më shumë se kaq?! Të kërkosh më shumë se kaq, do të thotë të kërkosh territor.
Në anën tjetër, shqiptarët në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) i janë nënshtruar një gjenocidi të heshtur.
* * *
Mbi serbët në veri Albin Kurti nuk ushtron kurrfarë dhune apo trysnie. Përkundrazi, ata janë peng i Beogradit apo Vuçiqit. Ky i instrumentalizon ata për idenë e Serbisë së Madhe. I ka zënë peng edhe për qëllime personale të veta. Shpeshherë, për t’i asnjanësuar protestat kundër tij që mbahen të shtunave në shumë qytete të Serbisë, Vuçiqi rend për të shkaktuar trazira në veri. Duke e mbajtur peng Listën Serbe, Vuçiqi në veri të Kosovës e ka ngulfatur edhe pluralizmin politik. Me çfarë fytyre kjo farë partie do t’i përfaqësojë sot e tutje serbët e veriut, kur doli në shesh se nënkryetari i saj Millan Radoiçiq (Milan Radoičić, 1978- ), mëngjesin e 24 shtatorit të viti 2023, në fshatin Banjskë, ishte në krye të grupit të çetnikëve të armatosur?! Ky kriminel, i afërt me Vuçiqin, nga ShBA-ja dhe nga Mbretëria e Bashkuar është shpallur person i padëshiruar. Të padëshiruar janë shpallur edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të Vuçiqit – Millorad Dodiku (1959- ) dhe Aleksandar Vulini (1972- ), i cili më 1 dhjetor 2022 u emërua drejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë (shkurtesa burimore: BIA).
* * *
Agresioni ndaj Kosovës i grupit të armatosur të serbëve, të mbështetur haptas nga Beogradi dhe Moska, vënë në dyshim dialogun e Brukselit. Pas rrezikimit të sigurisë së Kosovës dhe të rajonit, dialogu i zhvilluar si deri më sot e ka humbur kuptimin. Ai po shndërrohet në teatër absurd dhe merr karakter grotesk. Me kë dialog?! Me Vuçiqin që shpalli ditë zie për kriminelët vrastarë që ia shuan jetën një efektivi të pafajshëm i cili ishte në krye të detyrës, që mbronte rendin dhe rregullin, ligjin dhe kushtetutën, në të mirë të të gjithë qytetarëve të shtetit demokratik, më demokratik se çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor.
Për ç’dialog mund të flitet kur Vuçiqi ditë për dite brohorit dhe buçet: “Serbia kurrë s’ka për ta njohur Kosovën!” Të zhvillosh dialog me të, është njësoj sikur të kishe bërë dialog me Millosheviqin apo me Voisllav Sheshelin. Me politikën parapolitike të saj, Serbia nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes për Kosovën apo për rajonin. Asaj duhet t’i imponohen zgjidhjet.
Serbia nuk meriton të kesh as marrëdhënie diplomatike, e jo më Ballkan të hapur.
Kosovës viktimë, i jepen masa ndëshkuese, ndërkaq Serbia destruktive, ledhatohet dhe përkëdhelet. Amerikë, shqiptarët janë proamerikanë, ndërsa serbët gjatë gjithë historisë kanë qenë dhe mbeten prorusë!
Kosova është viktima, Serbia ka qenë dhe mbetet agresore. Është iluzion të mendosh se mund të ketë dialog me serbomëdhenjtë që i ka shkelur koha, që gjykojnë në kundërshti me tendencën historike.
Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra duhet t’i thonë Beogradit: “O njihe Kosovën, o shko në veçim!”
Xhelal Zejneli