A do të amnistohet Gruevski për t’i siguruar ndryshimet kushtetuese?

Ish-kryeministri i arratisur i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, ka thelluar përplasjet politike jo vetëm mes pushtetit dhe opozitës, por edhe në partinë VMRO -DPMNE, të cilën e drejtoi për më shumë se një dekadë.

Në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, më 18 korrik, kryetari i partisë opozitare VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se “pushteti po synon miratimin e ndryshimeve kushtetuese me ndihmën e ish- kryeministrit Nikolla Gruevski, në kompensim të amnistisë për të”.

Kjo ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm jo vetëm të Gruevskit, por edhe të partive në pushtet, me akuzat për “tradhti”, “bashkëpunim me pushtetin”, “heqje dorë nga interesat kombëtare” e të tjera.

Nikolla Gruevski ishte kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2016 dhe aktualisht ndodhet në Hungari, ku në vitin 2018 ka marrë azil politik pas ndjekjes së tij nga organet gjyqësore maqedonase për shpërdorim të detyrës zyrtare. Për gjashtë vepra penale ai është dënuar me 14 vjet burgim, ndërsa disa procese të tjera gjyqësore ndaj janë duke vazhduar.

Mickoski: Pushteti me skenar për amnistinë e Gruevskit
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pretendon se Gruevski me disa ish-përfaqësues të lartë të partisë janë duke synuar të marrin mbështetjen e disa deputetëve të VMRO DPMNE-së për të miratuar ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimet duhet të bëhen për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, që është kusht për vazhdimin e bisedimeve për integrimin evropian, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, të arritur në korrik 2022.

Shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat apo 80 nga 120 votat e deputetëve, andaj, sipas Mickoskit, “Qeveria po negocion me Gruevskin për amnistinë e tij në këmbim të votave të deputetëve të VMRO-së”. Sipas tij, amnistia do të bëhet përmes ndryshimeve në Kodin Penal që janë miratuar me procedurë të shpejtuar dhe përshijnë shumë vepra, për të cilat është dënuar Gruevski.

“Është naive të besosh se ndryshimet në Kodin Penal janë bërë vetëm disa vepra të vogla kriminale. Ato kanë më tepër se kaq. Është një skenar që është bërë nga Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në bashkëpunim me një strukturë të VMRO DPMNE-së. Pra, është një skenar për të votuar ndryshimet kushtetuese sipas diktatit bullgar”, ka deklaruar Mickoski duke komentuar pretendimet e tij për gazetën gjermane.

Ai mbetet në qëndrimin se “Qeveria e kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Ali Ahmeti [kryetar i BDI-së] është duke negociuar një amnisti për Gruevskin në mënyrë që ai të nxisë përçarjet në VMRO-DPMNE”.

Gruevski: Mickoski merret me thashetheme
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Mickoski merret me “thashetheme”, pasi pretendimet e tij për “kurdisjen e amnistisë” nuk qëndrojnë.

“Përçarjen e bëri ai duke më shpallur armik të ri dhe duke më sulmuar ashpër pa dhënë as më të voglën arsye, ashtu siç e prisja pa asnjë argument, pa asnjë provë apo diçka të tillë. Mickoski përmbushi dëshirën e tij të kahershme për të hyrë në një konflikt publik dhe për të më sulmuar mua. Mbase dikush i tha se do të ishte e dobishme…”, ka shkruar Gruevski.