150 VJETORI I LINDJES SË HASAN PRISHTINËS, NJË NGJARJE QË TEJKALON KUFIJTË KOHORË E HAPËSINORË

Nga Skender ASANI

Sot kur kujtojmë 150 vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës, jemi të prirur që këtë ngjarje ta shohim përtej një jubileu të thjeshtë. Figurat e mëdha të një kombi, siç është kolosi ynë Hasan Prishtina, me fuqinë e ndikimit të tyre tejkalojnë kufijtë kohor kur vepruan. Këto figura madje janë aktuale edhe sot, sepse dimensioni i ideve të mëdha kombëtare asnjëherë nuk përmbyllet brenda një qarku të ngusht kohor, por ato, varësisht nga momentet historike, e gjejnë hapësirën e tyre të veprimit edhe në ditët e sotme.

Gërshetimi i dimensionit historik dhe aktual brenda figurës së Hasan Prishtinës, e ka shndërruar këtë personalitet në burim frymëzimi për shumë veprimtarë të çështjes sonë kombëtare. Njëri nga ata, Adem Demaçi, i cili e quante për nder të jetë ushtar i Hasan Prishtinës, madje është i pari që promovoi “hasanizmin”, si frymë dhe si ide në ndërtimin e karakterit të një atdhetari të vërtetë.

Në 150 vjetorin e lindjes, shqiptarët në Ballkan kanë arsye ta quajnë satisfaksion përpjekjen e tyre për të çuar përpara disa nga idetë e Hasan Prishtinës, sepse ai ishte njëri ndër ideologët më të përkushtuar të çështjes kombëtare. Veçantia e kësaj figure qëndron në faktin se ai, gjatë veprimtarisë së tij të gjatë atdhetare, arriti të kombinojë luftën kryengritëse me betejat e parreshtura diplomatike e intelektuale. Ai është njëri nga personalitet e rralla të historisë sonë që diplomacinë evropiane e ushqeu me raporte e dokumente autentike mbi gjendjen e popullit shqiptar në kapërcyell të shek. 19 dhe 20.

I ndodhur midis Perendimit dhe Lindjes, midis aleancave ballkanike dhe aspiratave shtendërtuese, populli shqiptar gjatë rrugëtimit të tij pagoi kosto të lartë pikërisht këtë vendodhje gjeografike dhe këtë kontekst rrethanash hostorike. Kjo kosto u bë edhe më e lartë në momentet kur po vendosej për fatin e tij në konferencat ndërkombëtare. Hasan Prishtina, me vigjilencën dhe largapamësinë e tij, arriti të përçojë drejt aspiratën liridashëse të popullit shqiptar në këto konferenca, siç ishte rasti edhe me Konferencën e Paqës në Paris (1919), ku ai, edhe pse nuk mundi të jetë prezent fizikisht, megjithatë arriti të imponojë idetë e tij (një pjesë të tyre) mbi rrugëzgjidhjet e mundshme të fatit të shqiptarëve në një kontekst të ngatërruar e acaruar ballkanik e fqinjësor. Nëse presidenti i lavdishëm amerikan Wudro Vilson arriti në momentin e fundit të nxjerr kombin shqiptar nga hendeku i aleancave e prapaskenave diplomatike, ishte Hasan Prishtina ai i cili i dha shtytje nga jashtë kësaj përpjekje kolosale të Presidentit Wilson.

Prandaj, kur flasim për kontributet e fugurave tona kombëtare në ngritjen e çështjes shqiptare në nivelin e duhur të kurorëzimit të përpjekjeve liridashëse, atëherë pa dyshim që Hasan Prishtina do të jetë ndër personalitet e rralla që investoi dije, sakrificë e guxim në dizajnimin e kauzave kombëtare që edhe sot mund të jenë aktuale, ndonëse ai ishte shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e fjalëve që nxirrte nga goja: “Dhe para së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos harroni atë kur të jepni mendimin tuaj”, thoshte Hasan Prishtina, një thënie kjo që ilustron më së miri peshën e përgjegjësisë që ai e konsideronte të qenësishme gjatë momenteve të vështiura të vendimarrjes.

Hasan Prishtina fliste për mallkimin e historisë, i vetëdijshëm se çdo vendimarrje mund të jetë gurë peshoreje në ndërgjegjen e secilit që merr vendime. Në fakt, politika nuk është asgjë tjetër përpos një fushëbeteje ku sprovohet ndërgjegja dhe vendimarrja. Prandaj sot kur po jetojmë në një kohë me turbulenca sociale e gjeopolitike, politikanët nuk e kanë lehtë të marrin vendime të cilat do t’iu rezistojnë kohërave, ndonëse edhe kjo nuk është e pamundur nëse figura e Hasan Prishtinës merret si pikë orientuese për të ruajtur drejtpeshimin në mes të etikës dhe politikës, në mes të kombëtares dhe universales.

Në 150 vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës, secili nga ne duhet ta pyes veten se sa e shfrytëzojmë si referencë aktuale këtë figurë gjikante të kombit tone dhe sa punojmë që emri dhe lavdia e tij të mos shfrytëzohen vetëm sa për të shënuar ndonjë jubile apo ngjarje që lidhet me të.

Sivjet, 150 vjetori i lindjes së Hasan Prishtinës po bëhet edhe më kuptimplotë pas inisiativës së Institutit tonë që një pullë postale me emrin dhe figurën e tij të bëhet pjesë e qarkullimit dhe komunikimit në mes të njerëzve këtu dhe përtej kufinjve shtetërorë. Me këtë duam të përçojmë idenë se Hasan Prishtina edhe nga Shkupi ynë i lashtë, madje edhe në mënyrë simbolike, po e kryen funksionin që ai e projektoi si një platformë ku do të bashkëjetonin të gjitha aspiratat që i bëjnë më fisnikëruese raportet në mes të individëve dhe popujve, në mes të sotmes dhe të ardhmes.