West Ham refuzon ofertën mbi 100 milionë euroshe të Man Cityt për Paquetan

Manchester City vazhdon të insistojë për Lucas Paquetan, mesfushorin e avancuar të West Hamit. Kampionët e Anglisë e kanë rritur ofertën e tyre, duke shkuar në 101 mln euro!

Por, klubi londinez kërkon më shumë. Pasi arkëtuan 117 mln euro nga shitja e kapitenit Declan Rice tek Arsenali, drejtuesit e West Hamit duan 110 mln euro për të lënë të lirë brazilianin.

Pep Guardiola ka mbetur i impresionuar nga kualiteti dhe karakteristikat e Paquetas. Dhe dëshiron ta ketë pjesë të skuadrës dhe skemave të tij në vitet e ardhshme.

25-vjeçari zbarkoi në futbollin europian në janarin e vitit 2019. Te Milani, që pagoi 38 mln euro për ta blerë nga Flamengo. Mbërritja i tij në “San Siro” krijoi entuziazëm. Që u shua me kalimin e kohës.

Në shtatorin e 2020 erdhi transferimi në Ligue 1. Te Lyoni për 24 mln euro, ndërkohë që gjatë verës së vitit të kaluar kaloi në ishull. Me West Hamin që pagoi 43 mln euro në arkat e francezëve.

Paqueta pritet të hedhë tani hapin më të madh në karrierë, duke u bërë pjesë e skuadrës që dominoi futbollin anglez dhe europian gjatë edicionit të kaluar.

Distanca mes ofertës së Cityt dhe pretendimeve të West Hamit, nuk është e madhe. Optimizmi te dy klubet nuk mungon dhe së shpejti pritet të vijë akordi final.

Paqueta është pjesë e rregullt e kombëtares së Brazilit. Ai numëron 42 ndeshje dhe 9 gola me 5 herë kampionët e botës.