Mes konfliktit civil në Mogadishu, somalezët kanë gjetur një mënyrë interesante që të “pushojnë” në plazhet e qytetit antik. Por bregdeti në Oqeanin Indian të Afrikës është i lënë pas dore dhe i mbuluar me mbeturina, kështu që vendasit po ndërmarrin veprime për të pastruar zonën.
Në plazhet Urubo, Liido dhe Sugunto Liido, grumbuj mbeturinash mbulojnë rërën.
Peizazhi këtu ka një pamje kaotike.
Por banorët vendas në këtë qytet të vjetër po punojnë së bashku për të pastruar dhe rikuperuar plazhet e tyre.
Ata shpresojnë që nëse pastrimi është i suksesshëm, interesi për plazhin do të rritet, e si pasojë turizmi lokal do të gjallërohet dhe do të zhvillohet ekonomia e qytetit.
Shumë nga vullnetarët këtu janë studentë, ose njerëz që punojnë në universitete.
Këtë iniciativë e kanë marrë vetë të rinjtë e qytetit.
Ata kanë mbledhur mbeturinat këtu çdo javë meqenëse e zbehin bukurinë e këtij bregdeti dhe rrezikojnë jetën detare.
Puna tashmë po jep rezultatet e saj.
Organizatorët thonë se deri më tani këtu janë mbledhur 2 milionë kilogramë mbeturina.
Këtu përfshihet edhe plastika, e cila cilësohet si shumë e dëmshme për jetën detare.
Plazhi ishte kthyer në vendgrumbullim, madje këtu u hodhën edhe automjete të pashfrytëzuara.
Tani të gjitha mbetjet do të dërgohen në një deponi në periferi të Mogadishus.
Më interesantja në këtë iniciativë është përfshirja e të rinjve, që përbëjnë rreth 75% të popullsisë së vendit.
Ata morën mbështetje morale edhe nga zyrtarët qeveritarë, të cilët mbështetën përpjekjet e tyre për pastrimin e plazheve.
Madje Bashkia e Mogadishus siguroi automjetet e nevojshme për transportimin e mbeturinave.
Me pak punë, plazhet e bukura me rërë mund të gjallërohen edhe një herë.